Besa me mbrojtje solide. Portieri Mehidri: Jam me fat, përpara kam shokë skuadre me përvojë
Një ndër treguesit domethënës të Besës, është edhe numri i golave të pësuar, 3. Dy prej tyre kanë ardhur në Fier dhe një ndaj Valbonës, ndërkohë që kavajasit i kanë pasur të gjitha mundësitë për t’i evituar. Merita e kaq pak golave të pësuar është e prapavijës me përvojë e muskuj, por mbi të gjitha e portierit Jurgen Mehidri.
Ai shquhet për qetësinë, sigurinë në portë, por mbi të gjitha marrëdhëniet mjaft të mira me të gjithë shokët e ekipit. Mehidri e quan një armë të suksesit edhe harmoninë dhe mirëkuptimin që ekziston në grupin verdhezi. “Përvoja e madhe e një pjese të shokëve në ekip ka sjellë mirëkuptim, respekt reciprok dhe marrëdhënie mjaft harmonike në grup. Mendoj se kjo harmoni është një nga armët tona të suksesit”, tha fillimisht Mehidri. Ndërkohë, portieri i Besës çmon edhe ndihmesën që ai ka nga mbrojtja, pasi ka futbollistë me përvojë dhe luftarakë. ”Jam me fat që para meje luajnë futbollistë me përvojë në Superiore, si Goxha, Frashëri, Nuredin apo Nurja.
Me ata ndihem më i sigurt dhe të jem i sinqertë ma kanë lehtësuar mjaft punën. Veçmas në duelet 1 me 1, ata thuajse janë të pakalueshëm. Sigurisht që në disa ndeshje, apo situata të vështira, jam përpjekur të bëj punën time”, vijoi portieri. Nëse Mentor Mazrekaj e tha hapur se ndeshjet e ngjeshura kishin sjellë një farë lodhje, portieri Jurgen Mehidri pajtohet, pavarësisht se është stërvitur çdo ditë. “Ndërprerja e kampionatit, mendoj se na bën mirë, pasi kemi pasur ndeshje të shpeshta dhe përpara na presin dy takime brenda javës, në Kupë e kampionat.
Janë dy sfida jo të lehta, që do t’i luajmë në Vlorë dhe Peshkopi. E kanë thënë edhe presidenti, trajneri, shokët me përvojë në ekip, që duhet të kishim bërë më mirë. Kemi lënë disa pikë. I kishim të gjitha mundësitë që sot të kishim së paku 32 pikë. Besoj fort, se ky grup do të rikthejë Besën në Superiore në fund të sezonit”, përfundoi portieri Mehidri.
FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"