Besa fiton dhe acaron tifozët ndaj Valbonës. Josa: Ndeshjen duhet ta mbyllin më shpejt. Gjoni: Ekipi tregoi se vlen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2024 | 12:28

Besa fiton dhe acaron tifozët ndaj Valbonës. Josa: Ndeshjen duhet ta mbyllin më shpejt. Gjoni: Ekipi tregoi se vlen

Besa ka fituar 2-1 ndaj Valbonës, por duke shpërdoruar raste të pa pranueshme për një ekip të mirëinvestuar. Kjo solli edhe acarimin e tifozëve, teksa mendjemadhësia e siguri e tepruar bënë që miqtë të shënonin gol, madje rrezikuan edhe 2-3 herë të tjera.

besa valbona

Një Besë që komandoi në gjithçka, thuajse për 80 minuta, duke shënuar 2 gola dhe humbur së paku 4-5 të tillë. Përtej të gjithave, kjo fitore i ngjit kavajasit në vend të dytë me pikë të barabarta me Vorën.

Ndeshja- Besa zbret në fushë pa Mazrekajn, i cili ka sakrifikuar në sfidat e fundit duke mposhtur edhe dëmtimet. Kavajasit marrin frenat që në start, ku për 9 minuta goditën katër herë portën mike me Kanu, Spahiu e Oliviera. Goli i parë erdhi në minutën e 18-të, ku krosimit ideal të Spahiut i përgjigjet Frashëri me kokë, që çon topin në rrjetë. Miqtë po pranonin në heshtje dominim e Besës dhe pas 5 minutash marrin dhe golin e dytë me autor Kanu. Në fushë janë vetëm kavajasit, ndërsa Valbona më shumë mbrohet. Krasniqi dhe Llanaj mbulohen mirë nga mbrojtja kavajase.

Kanu dhe Goxhaj tentojnë të gjejnë golin e tretë, por pa mundur në minutat e 35-të dhe 40-të. Në shifrat 2-0 u mbyll pjesa e parë. E dyta nis me të njëjtën pamje, ku Besa kërkon golin e sigurisë. Tropojanët, ndryshe nga pjesa e parë, nisin të shohin përpara. Këtu nis serinë e shpërdorimeve nga Besa, ku dy herë portieri Hoxha i tha “jo” Spahiut. Të besuarit e trajneri Gjoni dalin nga loja mbrojtëse dhe Llanaj 3 herë rresht, në minutat 56, 61 dhe 62 godet drejt portës kavajase, por pa gjetur golin. Atë që nuk e realizoi Llanaj e bën Aluku, që surprizoi me atë goditje të saktë tokazi brenda zonës dhe rezultoi shkurtohet në 2-1. Për çudi, Besa i lëshon terren miqve, të cilët për 10 minuta shpërngulin lojën te porta kavajase.

Ndërhyn trajneri Josa me disa ndërrime duke aktivizuar Mazerekajn më herët, Dabo, Stafën dhe loja rikthehet përsëri në duart e Besës. Madje, për të acaruar tifozët, mendon përsëri Spahiu e Stafa që në një kundërsulm dalin të vetëm, por Spahiu çuditërisht pason te mbrojtësi i vetëm i Valbonës. Më pas është radha e Kanu për të shpërdoruar, ku i vetëm me portierin mik nuk shënon. Tropojanët pretenduan edhe për një penallti në këtë pjesë. Besa fitoi, por me sjelljen që bërë në fushë edhe mund të rrezikonte, pasi Valbona pati mundësi për të barazuar.

BESA – VALBONA 2-1

GOLAT: Frashëri 18’, Kanu 23’ / Aluku 75’

BESA: Mëhidri, Frashëri, Abdulai, Goxha, Nurja, Gjinaj (Nkube 80’), Aleksandre (Mazrekaj 67’), Mëllugja, Olivera (Stafa 67’), Spahiu (Kapo 90+3’), Kanu (Dabo 80’); (Në dispozicion: Ahmetaj, Perja, Deliu, Ibrahimi, Ramilli). Trajner: Mirel Josa

VALBONA: Marku, Lamçe, Farruku, Lala, Zeqiraj, Uesli (Balla 46’) Kamilo (Vidrica 68’), Aluku, Llanaj, Kovaçi (Udo 68’), Krasniqi; (Në dispozicion: Hoxha, Doçi, Alinani). Trajner: Vladimir Gjoni

Kartonë të verdhë: R. Bizhdili (staf), Spahiu 89’ / V. Gjoni (trajner 54’)

Gjyqtarë: S.Dyrmishi (Elbasan), E.Mehmmeti (Fier), D.Memelli (Elbasan)

Vëzhgues: Ndriçim Havari (Vlorë)

Delegat: Erald Shera (Shijak)

Trajneri

Josa: Ndeshjen duhet ta mbyllin në 10 minuta e para të së dytës

Besa e fillon në mënyrën e duhur fazën e dytë, ku java e 12-të ka folur për të besuarit e trajnerit Mirel Josa, duke rikuperuar diferencat me kreun. Verdhezinjtë prodhojnë shumë lojë, gjithsesi kanë shumë për të përmirësuar, kryesisht në finalizimin e aksioneve, Shpërdorimi i rasteve të shumta mund t’i kushtonte dje kavajasve ndaj Valbonës. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes trajneri Mirel Josa pohoi se ekipi duhet ta kishte mbyllur takimin që në 10 minutat e para të pjesës së dytë. “Ishte një ndeshje e dominuar nga skuadra jonë për thuajse 80 minuta. Përtej 2 golave të shënuar, shpërdoruam raste flagrante. Kjo nuk duhet të na ndodhë më, pasi ndeshjen duhet ta kishim mbyllur që në 10 minuat e para të pjesës së dytë. Ndoshta futbollistët, duke parë dominim absolut dhe rastet, e menduan ndeshjen të fituar para kohe. Kjo solli edhe golin e miqve. U rikthyem te dominimi në fund, duke shpërdoruar përsëri raste”.

Tropojanët

Gjoni: Ekipi tregoi se vlen, kemi besim për të ardhmen

Valbona ka pësuar humbjen e parë nën drejtimin e trajnerit Vladimir Gjoni, ku para përballjes me Besën tropojanët kishin marrë një barazim dhe një fitore surprizuese në Lushnjë. Tropojanët edhe dje kanë bërë një paraqitje pozitive, ku në pjesën e dytë i patën mundësitë që të merrnin edhe një pikë ndaj Besës. U pretendua edhe për një penallti të pa dhënë për një ndërhyrje ndaj Llanajt, por në fund trajneri Vladimir Gjoni për “Panorama Sport” u shpreh: “Jam i kënaqur, veçmas nga pjesa e dytë. Në pjesën e parë vuajtëm emrin e madh të Besës, ndërsa në të dytën pashë atë reagim që prisja nga Valbona. Ekipi tregoi dëshirë, qartësi, besoi dhe shënuam. Lojtarët dhanë mesazh të qartë mbi mundësitë reale që kemi, duke pasur parasysh kundër kujt luanim. Kjo lojë më ngrohu e më jep besim për të ardhmen”.

 FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"