Bëri supergol me Tomorin, Sefa: Nuk do ta harroj kurrë, shkojmë për fitore në Luz
Me garën që po bëhet gjithnjë e më e ashpër, Vora nuk e ka luksin që të gabojë. Dihet që pretendojnë ngjitjen, ndaj duhet të ruajnë hapin e rivalëve. Këtë javë shkojnë në Luz, atje ku i pret ekipi vendës.
Një përballje delikate dhe sidomos kur dihet që vorakët ende nuk kanë marrë një fitore në transfertë. Morali dhe dëshira nuk u mungon, sidoqoftë, dhe ndikim të madh pati ajo “shuplakë” që u dha Tomori në shtëpi.
Këtë e thotë për “Panorama Sport” edhe Okseold Sefa, një nga autorët e pesë golave. Ai në fakt realizoi një kryevepër, që nuk do ta harrojë lehtë.
“Detyra ime është krejt tjetër. Unë luaj para mbrojtjes, të them të drejtën, dhe nuk duhet të shoh shumë nga porta (qesh). Por atë ditë, nuk di çfarë ndodhi dhe shënova. Më vjen mirë që ia dola dhe ndihmova ekipin që të merrte një fitore aq të pastër dhe të bukur. E pashë zonën të lirë e të hapur nga mbrojtësit dhe arrita t’i shmang të gjithë. Ishte një supergol dhe të them të drejtën nuk do ta harroj. Ky gol shkon për tifozërinë vorake që na ka mbështetur si brenda dhe jashtë fushës sonë.
E megjithatë, ai takim iku. Kemi pasur pak kohë në dispozicion, por mund të them që jemi gati për javën e 6-të. Në Luz shkojmë për fitore, ekipi ynë nuk do të ndalet më deri në fund të fazës së parë”, përfundoi Sefa.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"