Basketbolli ngre siparin, Kamza leksion Flamurtarit! Sot luhen katër takime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2023 | 11:00

Basketbolli ngre siparin, Kamza leksion Flamurtarit! Sot luhen katër takime

Me ndeshjen hapëse Kamza-Flamurtari, të luajtur mbrëmjen e djeshme në palestrën “Halit Coka” në Bathore, ka ngritur siparin edicioni i 78-të i kampionatit kombëtarë në basketboll për meshkuj.

WhatsApp Image 2023-10-07 at 13.23.35

Vendësit, të drejtuar nga trajnerit Eni Llazani, e kanë filluar me këmbë të mbarë sezonin, teksa kanë fituar me rezultatin e thellë 75-45 përballë vlonjatëve. Një ndeshje që prodhoi rivalitet vetëm në pjesën e parë, pasi më tej Kamza dominoi në çdo drejtim, ndërsa loja e Flamurtarit erdhi në rënie. Plot 31 pikë diferencë, të cilat janë treguesi më i mirë i superioritetit nga të zotët e shtëpisë.

NDESHJA – Koshi i parë i kampionatit kombëtarë 2023- 2024 mban firmën e amerikanit Dominique Keyes, i cili finalizoi saktë për 2 pikë për Kamzën. Perioda e parë vijoi tepër interesante, me Flamurtari që fillimisht ishte më kërkues dhe më i saktë në veprime. Vlonjatët shkëputen në 4-12, për ta fituar në fund periodën 15-21. Por dominimi i miqve mbaron këtu, pasi me rikthimin në parket për periodën e dytë, Kamza nis rikuperimin. Vendësit e fitojnë çerekun e dytë 16-9 dhe shkojnë në pushim me 1 pikë avantazh në shifra të përgjithshme, 31-30. Në gjysmën e dytë të ndeshjes Kamza ndryshon marsh, ndërsa Flamurtari e ka të vështirë t’i përgjigjet të njëjtit ritëm.

Kështu, kamzalinjë e fitojnë edhe periodën e tretë 19-10, për të kryesuar 50-40 pas 30 minutash. Në periodën e fundit, vlonjatët shthuren tërësisht duke realizuar vetëm 5 pikë, kundrejt 26 të Kamzës. Kështu gjithçka mbyllet me triumfin e thellë të vendësve, të cilët fusin në kasafortë 2 pikët e para në kampionat. Për sa u përket statistikave individuale, te Kamza bindin amerikanët, teksa lojtari i ndeshjes ishte Dominique Keyes me 33 pikë e 16 kërcime. Paraqitje shumë e mirë edhe nga Zahir Porter, i cili regjistroi 19 pikë, 7 kërcime dhe 4 asiste, ndërsa dopioshifër pikësh preku edhe Xhersido Hajdari (10), duke i shtuar edhe 8 kërcime. Në radhët e vlonjatëve loja u përqendrua te Wilkins, me amerikanin që regjistroi 27 pikë e 6 kërcime. Por duhet theksuar se miqtë e vuajtën shumë stolin, me lojtarët e pankinës që nuk shënuan asnjë pikë në ndeshjen debutuese të kampionatit.

TAKIMET E TJERA – Java e parë e kampionatit do të kompletohet sot me katër ndeshje të tjera. Në orën 16:00 Vllaznia pret Skënderbeun në Shkodër, ndërsa në orën 18:00 do të luhen tri sfida. Tirana, kampionia në fuqi, e nis mbrojtjen e titullit në transfertë, teksa do të sfidojë Apoloninë vendëse, me fierakët që në këtë takim do të inaugurojnë edhe sallën e re. Kryendeshja e javës do të jetë në Durrës, me Teutën që pret Besëlidhjen, takim që vendos përballë dy ekipe pretendente. Ndërsa në pallatin e sportit “Asllan Rusi” Partizani do të matë forcat me Elbasanin. Fieri, ekipi më i ri që i është shtuar basketbollit të meshkujve, do të qëndrojë pushim për shkak të numrit tek të ekipeve pjesëmarrëse në kampionat.

5

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"