BASKETBOLL/ Rrëfimi special i katër lojtarëve verdheblu! Nga tava e kosit te… femrat, Elbasani “parajsa” e amerikanëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2023 | 17:01

BASKETBOLL/ Rrëfimi special i katër lojtarëve verdheblu! Nga tava e kosit te… femrat, Elbasani “parajsa” e amerikanëve

Për shqiptarët, Amerika është ëndrra e kahershme dhe “toka e premtuar”. Për amerikanët, Shqipëria është kthyer në një mundësi që vendi i tyre për momentin nuk ia jep, të paktën në sportin e basketbollit.hgfj

Është kjo historia e katër basketbollistëve amerikanë që kanë ardhur në vendin tonë dhe luajnë për ekipin e Elbasanit. Katër të rinj që vijnë nga shtete të ndryshme të SHBA-së, por i bashkon pasioni për sportin e bukur të basketbollit. David, Isak, Paul dhe Miçell rrëfejnë ekskluzivisht për “Panorama Sport” aventurën e tyre me ekipin e Elbasanit, mbërritjen në vendin tonë për herë të parë dhe pritshmëritë që patën. Jeta e tyre e re në Elbasan dhe miqësia me popullatën vendëse, traditat dhe ushqimi, jeta në këtë qytet të bukur, sipas tyre. Sigurisht, përshtypje u kanë bërë edhe vajzat shqiptare, por kanë një “problem”, pasi janë të martuar.

Sa i përket pjesës sportive, Elbasani nuk ka arritur asnjëherë të fitojë një titull kampion në basketboll, por ardhja e amerikanëve duket se ka rindezur ëndrrën e vjetër të klubit, me ekipin që i ka bërë një start mbresëlënës kampionatit, ku për momentin nuk njeh rivalë dhe mban vendin e parë në klasifikim. Tri fitore në po kaq takime kanë bërë që të gjithë të nisin të besojnë për titullin. Një trajner nga Kosova, katër amerikanë dhe një bazë lojtarësh nga qyteti dhe me mbështetjen financiare që nuk i mungon, në Elbasan mendojnë se është viti i duhur për të sjellë më në fund një trofe në shtëpi.

DAVID ISAAC GIRLEY

Ardhja në Shqipëri – “Isha në një turne në Kanada me tre lojtarë të tjerë dhe dola më i miri. Më ofruan një kontratë, nuk mora përgjigje për dy muaj dhe më pas më njoftuan, më sollën në Shqipëri. Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe për më tepër në Europë. Dua të marr eksperiencë dhe të bëhem një basketbollist profesionist dhe, pse jo, të ndihmoj familjen me të ardhura. Në të ardhmen dua të hap një shkollë timen për basketbollin”.

Synimet – “Është një stil tjetër këtu në krahasim me Amerikën, bëhet fjalë për një basketboll fizik. Atje i mëshohet më shumë shënimit të koshave dhe spektaklit, ndërsa këtu ka rëndësi më shumë rezultati. Synimet tona janë që të dalim kampionë dhe do të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje për t’ia arritur”.

Qyteti – “Përshtypjet janë shumë të mira kur erdha dhe u bënë akoma edhe më të mira gjatë kohës që po qëndroj këtu. Në fillim na shihnin me sy tjetër, jo të keq sigurisht. Por, shumë shpejt u integrova këtu dhe me jetën në këtë qytet. Kam shkuar disa herë edhe në Tiranë, luaj videolojëra, kam bërë edhe miq shqiptarë që ecim bashkë dhe flasim. Sa i përket qytetit, mund të them se është i bukur”.

Ushqimi – “Ushqimi i preferuar këtu është tava e kosit. Simitet që bëhen në mëngjes, me gjizë apo salçiçe. Picat sigurisht dhe hamburgerët që bëhen këtu. Keni ushqim të mirë me pak fjalë”.

Vajzat – “Janë të bukura sigurisht. Por, unë jam i martuar edhe me fëmijë kështu që… (qesh). Këtu ushqehen mirë dhe janë në formë, ndryshe nga amerikanet, ku janë paksa më të shëndetshme”.Da

YARADYAH SHAR EVANS

Ekipi – “Çdo lojtar është shumë i mirë në ekip dhe janë miqësorë me të gjithë rinjtë që kanë ardhur këtu. Përpiqem t’i ndihmoj dhe të më ndihmojnë, që të japim më të mirën e mundshme. Të jem i sinqertë dua të fitoj eksperiencë, por dhe të jap. Nëse gjërat ecin mirë, dua të shkoj në një tjetër nivel edhe më të lartë nga ky ku jemi”.

Synimet – “Synoj që të dalim kampionë. Me Partizanin ishte një test i rëndësishëm në start, ku treguam se i kemi mundësitë të fitojmë ndaj kujtdo. Jemi mirë, por kemi ende shumë punë përpara, jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Ne do të bëjmë më të mirën tonë në çdo ndeshje që do të kemi përpara”.

Qyteti – “Më impresionojnë njerëzit, janë shumë të dashur. Ndërtesat karakteristike këtu janë të veçanta gjithashtu. Edhe jeta e natës më pëlqen, është një qytet që ka jetë nate. Mund të them që ndihem shumë mirë në këtë qytet”.

Ushqimi – “Më pëlqejnë më shumë krahët e pulës dhe patatet. Janë disa restorante në këtë qytet që gatuajnë vërtet mirë dhe mund të them se më pëlqen ushqimi këtu”.

Vajzat – “Jam i martuar, nuk kam preferenca (qesh). Por, normalisht bëhet fjalë për vajza të bukura, sepse për mua të gjitha vajzat dhe çdo grua është e bukur”.ya

NICHOLAS RAYFIELD PAUL

Ardhja në Shqipëri – “E dëgjova nga një lojtar që kishte luajtur më herët për Elbasanin dhe kështu u bë e mundur të vija këtu. Kam një eksperiencë të mirë me lojtarët që më rrethojnë dhe ndihem sikur jam në shtëpi këtu”.

Synimet – “Dua që të jemi në ekipet më të mira të këtij kampionati dhe të luftojmë për të marrë maksimumin në çdo ndeshje. Çdo gjë është e mundur edhe për t’u shpallur, pse jo, kampionë. Ne do të japim më të mirën tonë të gjithë si skuadër dhe rrugës do të shihet se deri ku mund të arrijmë”.

Qyteti – “Që në ditët e para u dashurova me qytetin e Elbasanit dhe njerëzit që jetojnë këtu. Janë shumë të dashur dhe kjo gjë më pëlqen. Ndihem si në shtëpinë time në këtë vend”.

Ushqimi – “Tava e kosit, e dashuroj këtë gjellë (qesh). Më pas edhe të tjerat nga pak të gjitha, sepse gatimi këtu është shumë i mirë. Të gjitha ushqimet më shijojnë, por tava e kosit më shumë nga të gjitha”.

Vajzat – “Jam i martuar (qesh), por mund të them se janë vajza të bukura. Por mbi të gjitha bëhet fjalë për njerëz të mirë dhe kjo ka më shumë rëndësi për mua”.Ni

MITCHELL JAMES ALEXANDER MC DONALD

Ekipi – “Dëgjova rreth klubit të Elbasanit nga agjenti im në Amerikë. Më propozoi të vija këtu dhe ja ku jam duke luajtur për këtë skuadër, ku kam gjetur ngrohtësi nga të gjithë”.

Synimet – “Qëllimi im është që të fitojmë kampionatin dhe do të japim maksimumin për të arritur suksesin. I kemi bërë një nisje të mirë sezonit dhe të shpresojmë të vazhdojmë me këtë rrugë edhe në vazhdim. Trajneri është shumë i mirë, i përgatitur dhe i trajton mirë lojtarët”.

Qyteti – “Jam i kënaqur që nga dita e parë që jam këtu. Çdo njeri që më rrethon më bën të ndiej dashuri dhe respekt dhe normalisht jam shumë i kënaqur kur ndodh një gjë e tillë. Është një qytet dhe vend që të ofron dashuri”.

Ushqimet – “Patatet i gatuani shumë mirë këtu, më pëlqejnë shumë. Por, në përgjithësi këtu në Shqipëri dhe Elbasan gatuhet mirë. Duket që keni një kulturë në gatim, përderisa ushqimet janë kaq të mira”.

Vajzat – “Normalisht janë shumë të bukura vajzat këtu. Por, unë jam i martuar (qesh). Nëse nuk do të isha, pse jo, nuk do ta kisha problem të bija në dashuri me një shqiptare.

mi

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"