Basketboll meshkuj/ Kampionët duan reagimin, Tirana sfidon Vllazninë në “Farie Hoti”
Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj do të zhvillojë mbrëmjen e sotme dy ndeshje të vlefshme për javën e dytë. Takimi hapës do të jetë në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”, aty ku Elbasani pret Fierin në orën 19:00.
Vendësit vijnë pas një suksesi shumë të bukur në javën e parë ndaj Partizanit, ndërsa fierakët, ekip i themeluar këtë vit, do të bëjnë debutimin absolut në basketbollin shqiptar, pasi në javën e parë qëndruan pushim.
Ndërkohë Tirana, pasi e nisi me hap fals kampionatin, duke u mundur nga Apolonia, do të kërkojë sot reagimin. Kampionët në fuqi presin Vllazninë në “Farie Hoti”, me sfidën që starton në orën 20:00. Nga ana tjetër, shkodranët në debutim fituan thellë në shtëpi ndaj Skënderbeut. Nesër do të luhen dy sfida të tjera, Skënderbeu-Partizani në orën 17:00 dhe Apolonia-Teuta në orën 18:30, ndërsa java e dytë do të mbyllet të dielën me ndeshjen Besëlidhja-Kamza në orën 18:00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"