BASKETBOLL/ Kaosi me palestrën e Bathores, Teuta do fitoren në tavolinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2022 | 8:49

BASKETBOLL/ Kaosi me palestrën e Bathores, Teuta do fitoren në tavolinë

Me anë të një relacioni, Teuta i ka kërkuar Federatës Shqiptare të Basketbollit fitoren në tavolinë të ndeshjes kundër Kamzës, e vlefshme për javën e 11-të të Superligës, parashikuar për t’u luajtur mbrëmjen e së dielës në palestrën e Bathores, por që nuk u zhvillua për shkak të punimeve që po bëhen në afërsi të sallës, teksa ngjitur fadromat po punojnë për prishjen e gjimnazit.

FADROMA

“Panorama Sport” ka siguruar relacionin që bregdetarët i kanë nisur federatës.

PËRSHKRIMI I SITUATËS – Në kërkesën e saj, Teuta Basket fillimisht i ka paraqitur versionin e saj FSHB-së duke përshkruar situatën: “Me të mbërritur në ambientet e sallës, u shfaq pamja katastrofike e shembjes së godinës së shkollës ngjitur me palestrën ‘Kamza Basket Bathore’.

Duke kërkuar informacion për futjen në palestër, u informuam se asnjë pjesëtar i Kamzës nuk ishte i pranishëm dhe delegacioni ynë ka pritur për 30 minuta hapjen e sallës.

Pavarësisht ambientit dhe parregullsive, skuadra filloi përgatitjen për ndeshjen duke nisur fazën e nxehjes në një fushë të tejmbushur me pluhur dhe një parket tejet të rrëshqitshëm që nuk ofronte siguri për sportistët në kryerjen e aktivitetit sportiv.

Në momentin e ardhjes së komisarit të ndeshjes, stafi ynë i ka bërë me dije parregullsitë, duke kërkuar plotësimin e kushteve për realizimin e ndeshjes”, shkruhet në letrën e durrsakëve.

MOMENTE PANIKU – Më tej bregdetaret tregojnë se janë përballur me momente paniku gjatë kohës kur po përgatiteshin për të luajtur:

“Duke marrë nga komisari sigurinë se parketi do të pastrohej dhe se salla ishte e certifikuar për zhvillimin e ndeshjes, skuadra vazhdoi rregullisht procesin e nxehjes deri në momentin kur një pjesë betoni goditi sallën duke përcjellë rrezikun e paralajmëruar nga stafi ynë te të gjithë të pranishmit dhe sidomos skuadrat që vrapuan në stolat përkatës.

Me gjithë panikun e krijuar, skuadrat iu rikthyen nxehjes në pritje të vendimit të komisarit, në një ambient asfiksues dhe të vështirë për të marrë frymë.

Sportistet tanë Ndreca dhe Lilaj shfaqën shenja të alergjisë me dhimbje koke, lotim të syve dhe kollë të vazhdueshme dhe iu drejtuan dhomave të zhveshjes.

Megjithatë, për asnjë moment delegacioni i Teutës nuk ka shprehur ndaj komisarit apo gjyqtarëve kërkesën për moszhvillimin e ndeshjes, por mundësimin e kushteve optimale për të luajtur.

Pas pritjes për 10 minuta pas orarit zyrtar të fillimit të takimit me urdhrin e komisarit na u bë më dije se ndeshja është e pamundur të luhet.

Në shpjegimin e tyre komisari dhe gjyqtarët argumentuan se në lidhje me ndeshjen do të vendosë FSHB. Një parregullsi në kundërshtim të rregullores së FSHB-së, që saktëson në pikat 10.3, 10.4 dhe 10.6 mbi detyrimet e shoqatave anëtare se ndeshja duhet të akreditohet aforfe 0-20.

Në sallën sportive në Kamzë, kushtet janë të papranueshme dhe kjo duket qartë edhe në mosakreditimin e kësaj salle nga Liga Shqipëri-Kosovë.

Kjo sallë nuk mirëmbahet dhe është në shkelje të të gjithë pikave të rregullores. Klubi ynë ka pasur informacion prej ditëshse Kamza nuk zhvillonte stërvitjet në sallën në fjalë, pasi punimet vazhdonin prej ditësh dhe kemi qenë në pritje të njoftimit nëse ndeshja do të zhvillohej në ndonjë sallë tjetër të ofruar nga Kamza”.

FITORE NË TAVOLINË – Teuta kërkon që federata të zbatojë rregulloren dhe t’u akordojë fitoren në tavolinë, ndërsa akuzon Kamzën për papërgjegjshmëri në organizim:

“Kjo është një situatë e turpshme për të gjithë komunitetin e basketbollit ku papërgjegjshmëria dhe mungesa e seriozitetit në organizimin e takimit nga Kamza çon për të dytën herë në këtë sezon që një takim të mos zhvillohet.

Pas përshkrimit të detajuar të situatës si më sipër, kërkojmë zbatimin e rregullores së FSHB-së dhe përcaktimin e rezultatit final të ndeshjes 0-20 në favor të skuadrës sonë.

Gjithashtu, kërkojmë përfshirjen e federatës në sensibilizimin e të gjithë aktorëve që ngjarje të tilla të papërgjegjshme të mos ndodhin më, pasi cenojnë dinjitetin sportiv të skuadrës, të garës dhe të gjithë ambientin profesionist që klubi ynë është përkushtuar ta ndërtojë”, shkruhet në relacionin e Teutës adresuar FSHB-së.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

BASKET/ Fadromat në aksion, ndeshja Kamza-Teuta nuk zhvillohet