BASKETBOLL FEMRA/ Tirana bën goditjen e madhe në Vlorë, mund Flamurtarin në finalen e parë
Tirana ka bërë goditjen e madhe në Vlorë, duke e nisur me këmbë të mbarë serinë e finaleve në kampionatin kombëtar të basketbollit për femra. Kryeqytetaset fituan dje raundin e parë kundër Flamurtarit me rezultatin 57-61, duke hedhur një hap shumë të rëndësishëm drejt titullit.
Vajzave bardheblu u duhej patjetër një triumf në shtëpinë e rivaleve dhe e realizuan që në tentativën e parë, duke marrë tashmë avantazhin e fushës në këtë seri finalesh. Një fitore që erdhi pas një loje të shkëlqyer grupi, me Tiranën që e udhëhoqi takimin thuajse gjatë të gjithë kohës, ndërsa diti t’i bënte mjaft mirë ballë edhe situatave të vështira në periodën e katërt, duke treguar karakter dhe qetësi për tu admiruar. Enisa Qosja hapi serinë e koshave me një gjuajtje të saktë për 3 pikë për Tiranën, me miket që e fituan periodën e parë 12-16. Në çerekun e dytë dominimi i Tiranës ishte më i madh, teksa kryeqytetaset fituan 10-18, duke shkuar në pushim me epërsinë 22-34.
Kampionet në fuqi reaguan në periodën e tretë, të cilën e morën 24-15, duke ngushtuar në 46-49. Në fillimin e periodës së katërt, Flamurtari madje përmbysi në 51-49, por më pas vajzat e trajneres Mirza Alibegaj u treguan fantastike, teksa rimorën avantazhin, për ta mbrojtur deri në fund, duke e mbyllur me festën e merituar. Paraqitje e jashtëzakonshme nga Aida Palko, lojtarja e ndeshjes me dopietë dyshifrore, 15 pikë dhe 11 kërcime. Decizive edhe Morina Bojka me kosha në momente vendimtare, teksa e mbylli me 18 pikë si shënuesja më e mirë e takimit. Dopietë dyshifrore edhe për Gelis Gonzales, me 13 pikë dhe 11 kërcime. Për vlonjatet s’mjaftoi Asia Henderson, me 16 pikë e 13 kërcime. Tashmë finalja e dytë zhvendoset në kryeqytet, të premten në orën 17:30 në sallën “Feti Borova”..
“Humbje që na e komplikon situatën” – Agim Dalipi ka mbetur i zhgënjyer nga humbja e finales së parë në shtëpi kundër Tiranës. Për “Panorama Sport”, trajneri vlonjat thotë se ky rezultat e komplikon situatën për skuadrën që drejton. Megjithatë shpresat i ka te fitorja në Tiranë: “Një humbje që komplikon shumë situatën. Do të mundohemi që në Tiranë të shkojmë të fitojmë ndeshjen me qëllim që të barazohemi dhe pastaj të vazhdojmë në rrugën për titullin. Në fakt e kishim përgatitur ndeshjen për ta fituar aq më shumë që luanim në fushën tonë dhe përballë publikut. Ishte një ndeshje e luftuar këtë e tregon rezultati i ngushtë. Tani na mbetet të shikojmë përpara”, përfundon Dalipi.
Alibegaj ul euforinë: S’ka mbaruar asgjë – Mirza Alibegaj theksoi se asgjë nuk ka përfunduar pavarësisht fitores dhe se i druhet Flamurtarit, sidomos në shtëpi. Për “Panorama Sport”, trajnerja bardheblu e komentoi kështu sfidën e parë: “Këto janë finale dhe në finale nuk ke asgjë të sigurt. Janë situata të paparashikueshme sado që mund të punosh fort dhe të bësh më të mirën në fushë. Flamurtari është një ekip me gjëra shumë të mëdha. Emocionet më të mëdha i kanë në fushën e tyre dhe patjetër që nuk është e lehtë të fitosh ndaj një skuadre të tillë. Tani do të vijojmë të japim gjithçka edhe në ndeshjet e mbetura për të arritur objektivin. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë me kundërshtarin që kemi”, u shpreh Alibegaj.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"