BASKETBOLL/ Besëlidhja leksion Kamzës, Teuta shkëlqen në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2023 | 10:50

BASKETBOLL/ Besëlidhja leksion Kamzës, Teuta shkëlqen në Fier

Kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj ka mbyllur dje javën e dytë me sfidën ndërmjet Besëlidhjes dhe Kamzës në “Asllan Rusi”. Lezhjanët vijojnë të tregojnë një formë mjaft të mirë në këtë fillimsezoni, teksa pas suksesit në Kupën e FSHB-së, tashmë koleksionuan edhe fitoren e dytë në kampionat.

beselidhja basket

Skuadra e Afrim Bilalit bëri një tjetër paraqitje bindëse, duke triumfuar ndaj një rivali direkt si Kamza në shifrat 100-69 (27- 21, 16-20, 28-20, 29-8). Edhe një herë tjetër ekipi verior shfaqi rendiment të lartë në sulm.

Besëlidhja tregoi gjithashtu sërish përgatitje më të lartë fizike se kundërshtarët, duke e bërë diferencën në gjysmën e dytë të ndeshjes, sidomos në periodën e fundit, të cilën e fitoi me plot 21 pikë epërsi, për të vulosur edhe triumfin treshifror.

Nga ana tjetër, Kamza provoi të rezistonte, por me kalimin e minutave loja e skuadrës së Eni Llazanit erdhi në rënie. I gjithë formacioni i Besëlidhjes shkoi në dopioshifër pikësh në këtë takim, ndërsa rendimentin më të lartë e kishte amerikani Weekes, autor i 27 pikëve dhe 12 kërcimeve.

Për Kamzën efikasitetin më të lartë e kishte Porter me 18 pikë. Më këtë fitore Besëlidhja ngjitet në vend të parë, me pikë të barabarta me Elbasanin, por lezhjanët kanë diferencë më të mirë koshash.

121

Në javën e dytë është zgjuar edhe Teuta, teksa durrsakët morën një fitore mjaft të bukur në transfertë kundër Apolonisë në shifrat 71-94 (27-23, 12-28, 14-21, 18-22). Ndonëse vendësit kishin mbështetjen e zjarrtë të publikut, Teuta tregoi maturinë e duhur, duke u shkaktuar disfatën e parë fierakëve në sallën e re.

Pas një fillimi disi më të mirë të Apolonisë, miqtë e drejtuar nga Nikola Milatoviç morën frenat e lojës në kontroll.

Paraqitje shumë e mirë nga të gjithë amerikanët e Teutës, ndërsa MVP u shpall Bacon, autor i 25 pikëve, 7 kërcimeve dhe 8 asisteve. Shkëlqeu edhe kapiteni Kristi Gorea, protagonist me 17 pikë, 6 kërcime dhe 6 asistime. Për fierakët rendimentin më të lartë e kishte Jones me 16 pikë e 14 kërcime.

2121

Partizani ka marrë fitoren e parë, teksa ka mundur Skënderbeun me rezultatin e thellë 54-91. “Demat” e Erdal Borovës u argëtuan në transfertën korçare përballë një kundërshtari modest, duke dhuruar edhe shou me disa kosha spektakolarë.

Në ndeshjet e zhvilluara të premten, Tirana mundi Vllazninë 92-66, ndërsa Elbasani fitoi ndaj Fierit 98-68.

02020

A.DUSHKU/N.GOCI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"