BASKET MESHKUJ/ Elbasani-Tirana për rekord, Vllaznia mund me shtesë Kamzën
Pas pauzës për ndeshjen e Kombëtares, dje është rikthyer kampionati kombëtar i basketbollit për meshkuj, me dy takime të vlefshme për javën e 15-të. Tirana ka fituar në transfertë kundër Elbasanit me rezultatin treshifror 100-130 (25-31, 23- 23, 27-43, 25-33).
Një ndeshje me rekord pikësh, teksa të dyja ekipet harruan sesi mbrohet, duke regjistruar rendiment të jashtëzakonshëm në sulm. Kampionët në fuqi e kishin lojën gjatë të gjithë kohës nën kontroll, duke dërguar plot 6 lojtarë në kuotë dyshifrore pikësh. Efikasitetin më të lartë e patën amerikanët, teksa Robinson regjistroi 24 pikë, 7 kërcime dhe 7 asistime si dhe Davis me 30 pikë, 7 kërcime dhe 7 asistime. 25 pikë për Aris, i cili u aktivizua rreth 22 minuta. Për Elbasani nuk mjaftoi kapiteni Çela, MVP me 33 pikë, 11 kërcime dhe 4 asistime.
Në ndeshjen tjetër Vllaznia fitoi gjithashtu në transfertë kundër Kamzës. Skuadra e Damian Bekteshit triumfoi me rezultatin 81-84 (14-10, 21-23, 17-24, 19-14, 10-13), takim i vendosur në shtesë në favor të shkodranëve, pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 71-71.
Një takim shumë interesant dhe i luftuar deri në sekondën e fundit, por kuqeblutë u treguan më të saktë në momentet finale, duke zhvilluar një lojë shumë të mirë grupi. Java e 15-të do të vijojë sot me ndeshjet FieriSkënderbeu dhe Partizani-Teuta, për tu kompletuar të dielën më takimin Flamurtari-Besëlidhja.
VLADIMIR MEMA/ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"