BASKET FEMRA/ Liga Unike, Tirana në “Final 4” mes dardaneve
Liga Unike e basketbollit të femrave ka zhvilluar dje javën e nëntë të sezonit të rregullt, ndërsa tashmë janë zyrtarizuar të katërta ekipet që do të shkojnë në “play off”.
Përfaqësuesja e vetme e Shqipërisë në fazën “Final 4”, që do të mbahet në Kosovë më datat 2-3 prill do të jetë Tirana, ndërsa mes katër ekipeve më të mira të kompeticionit mbarëkombëtar ndodhen tri skuadra dardane, Bashkimi, Prishtina dhe Penza. Partizani dhe Flamurtari, përkatësisht kampionet dhe nënkampionet në fuqi, kanë zhvilluar një kompeticion shumë të dobët duke u renditur përkatësisht në vendin e fundit dhe të parafundit.
NDESHJET – Për sa u përket takimeve të djeshme, Bashkimi ka vijuar ecurinë e shkëlqyer, teksa ka koleksionuar edhe fitoren e nëntë në po kaq sfida të zhvilluara. Vajzat nga Prizreni mundën Tiranën në sallën “Farie Hoti” me rezultatin 68-85. Pas një pjesë të parë krejtësisht të ekuilibruar, Bashkimi e bëri diferencën në 20 minutat e dyta. Kështu perioda e parë ishte me ritëm të lartë, ndërsa ekipet shkuan në pushim me avantazhin 25-23 të vajzave bardheblu. Miket fituan 17-19 çerekun e dytë, ndërsa gjysma e parë e ndeshjes u mbyll në barazim 42-42. Me rikthimin në parket ndeshja më pas foli për skuadrën prizrenase, që i fitoi dy periodat e mbetura 12-22 dhe 14-21, për të vulosur suksesin final me 17 epërsi. Williams me 35 pikë, 9 kërcime dhe 4 asistime, Muhadri me 28 pikë, 9 kërcime e 4 asitime si dhe Përquku me 10 pikë, 9 kërcime dhe 14 asistime udhëhoqën Bashkimin në këtë fitore. Për Tiranën spikatën Justinak me 17 pikë dhe Qosja me 15. Bashkimi pret biletën si vend i parë në “play off”, ndërsa Tirana edhe pse u mund kualifikohet matematikisht në fazën finale.
Prishtina kaloi me sukses transfertën në Vlorë kundër Flamurtarit, duke i mundur bregdetaret me rezultatin 52-63. Sfida nisi me ritëm shumë të ulët, teksa perioda e parë u mbyll 9-6 për vlonjatet.Prishtina fitoi 19-23 në periodën e dytë, duke shkuar në pushimin me avantazhin minimal 28-29 në shifra të përgjithshme. Kryeqytetaset kosovare fituan 12-13 edhe periodën e tretë, ndërsa e bënë shkëputjen decizive në çerekun e fundit, duke triumfuar 12-21, për ta vulosur ndeshjen me +11 pikë. Johnson me 18 pikë, J.Williams me 15 pikë e 14 kërcime si dhe Luna Castro me 14 pikë e 10 kërcime u dalluan në suksesin e mikeve. Për Flamurtarin spikati Karon Williams, autore e 15 pikëve.
Tripletën e fitoreve të ekipeve të Kosovës ndaj atyre të Shqipërisë, e kompletoi Penza në shtëpi, e cila likuidoi Partizanin në shifrat 82-76 (27-10, 17-28, 21-11, 17- 27). Vajzat pejane shpërthyen që në periodën e parë, duke krijuar avantazh prej 17 pikës, për ta administruar lojën deri në fund, duke i bërë ballë ofensivës së kuqe. Daci me 20 pikë, 10 kërcime e 7 asistime, Elise me 20 pikë e 11 kërcime si dhe Vraniqi me 20 pikë e 9 kërcime bënë diferencën për Penzën. Në radhët e Partizanit nuk mjaftuan Bannister me 20 pikë, 6 kërcime dhe 10 asistime, si dhe Lalaj e Fee me nga 18 pikë secila. Tashmë ka mbetur për tu zhvilluar edhe java e 10-të, ku do të kemi këto përballje: Prishtina-Tirana, Partizani-Flamurtari dhe Bashkimi-Penza, ndeshje që do të zhvillohen më 26 mars. Një javë që do të ketë më tepër vlerë statistikore, ndërsa mbetet për tu përcaktuar vetëm vendi i tretë që do të ndahet mes Penzës dhe Tiranës.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"