BASKET FEMRA/ Bashkimi-Prishtina, derbi kosovar në finalen e Ligës Unike
Bashkimi kundër Prishtinës, është kjo finalja e madhe Ligës Unike së femrave për edicionin 2023-2024.
Prizrenaset dhe kryeqytetaset kosovare kaluan dje me sukses provat e gjysmëfinaleve, duke triumfuar përkatësisht ndaj Tiranës dhe Penzës në ditën e parë të fazës “Final 4” që po mbahet në Prishtinë. Ndeshja e parë gjysmëfinale vendosi përballë Bashkimin, skuadër që e mbylli në vend të parë sezonin e rregullt dhe Tiranën e vendit të katërt, si e vetmja përfaqësuese e Shqipërisë në “Final 4”. Vajzat nga Prizreni fituan me rezultatin 73-54, duke u bërë finalistet e para të Ligës Unike. Ndeshja ishte shumë e bukur dhe me rivalitet të lartë për 3 perioda, ndërsa Bashkimi e bëri diferencën vetëm në çerekun e fundit. Kështu sfida nisi me një epërsi të lehtë nga vajzat bardheblu, të cilat e fituan periodën e parë 13-16, ndërsa Bashkimi mori çerekun e dytë 18-14, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin minimal 31-30. Perioda e tretë ishte tërësisht e ekuilibruar, fraksion që u mbyll në barazim 16-16, ndërsa pas 30 minutash lojë rezultati në tabelë shënonte 47-46 për vajzat nga Kosova. Por në periodën e fundit loja e Tiranës erdhi në rënie, pasi vajzat e trajneres Mirza Alibegaj nuk kishin më të njëjtën freski fizike. E kundërta ndodhi me prizrenaset, të cilat dominuan dhe shpërthyen në pikë të njëpasnjëshme, për ta fituar periodën thellë 26-9, duke vulosur suksesin 73-54 në shifra të përgjithshme. Për sa u përket paraqitjeve individuale, te Bashkimi u dalluan Godbold me 27 pikë e 28 kërcime, si dhe Zeka me 20 pikë e 4 kërcime, ndërsa te Tirana shënuesja më e mirë ishte Aida Palko me 13 pikë.
Më tej në mbrëmje ishte radha për gjysmëfinalen e dytë, Prishtina-Penza, ku vendëset e nuk e patën shumë të vështirë për të prerë biletën e finales. Prishtina fitoi me rezultatin e 74-57 (19-9, 14-12, 21- 20, 20-16). Kryeqytetaset bënë më mirë në të katërta periodat, duke mos e diskutuar kualifikimin. Williams me 20 pikë dhe Johnson me 18 udhëhoqën Prishtinën në këtë përballja, ndërsa për Pejën spikatën Gayle me 19 pikë dhe Daci me 15. Sot në orën 20:00 do të luhet finalja madhe mes Bashkimit që kërkon suksesin e parë mbarëkombëtarë dhe Prishtinës që synon titullin e dytë në Ligën Unike, pas atij të dy sezoneve më parë. Më herët në orën 17:00 do të luhet finalja për vendin e tretë, Tirana-Peja.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"