BASKET/ Fadromat në aksion, ndeshja Kamza-Teuta nuk zhvillohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2022 | 11:43

BASKET/ Fadromat në aksion, ndeshja Kamza-Teuta nuk zhvillohet

Java e 11-të e Superligës në basketbollin e meshkujve është shoqëruar nga një ngjarje e pazakontë. Ndeshja mes Kamzës dhe Teutës, e parashikuar për t’u zhvilluar dje në orën 18:00 në palestrën e Bathores, nuk është luajtur, për shkaqe sigurie.

B4

Ngjitur me sallën ndodhet gjimnazi “Elez Isuf Ndreu”, i cili po shembet për t’u rindërtuar, por ndërhyrja e rruspave ka rrezikuar edhe palestrën, duke parë distancën fare të afërt mes të dyja godinave.

E mbushur me pluhur dhe me vibrimet e goditjeve të fadromave, bëhej i pamundur zhvillimi i ndeshjes. Ekipet u paraqiten për nxehjen, por në të tilla kushte, komisari vendosi që takimi të mos zhvillohej.

Mësohet se Teuta i ka kërkuar FSHB-së fitimin e ndeshjes në tavolinë, me pretendimin se skuadra vendëse ishte në dijeni të këtyre kushteve për shkak se punimet vijonin prej ditësh dhe se duhet të gjente një ambient tjetër.

Kujtojmë që kjo është hera e dytë brenda këtij sezoni që dështon zhvillimi i ndeshjeve në palestrën e Bathores, pasi rreth dy muaj më parë, pak para takimit Kamza-Vllaznia, u shkëput energjia elektrike. E gjitha kjo duhet një situatë paradoksale, por që është realitet në nivelin më të lartë të basketbollit në Shqipëri.

NDESHJET E ZHVILLUARA – Duke kaluar te sfidat e luajtura, Vllaznia mori një fitore mjaft të bukur në kryeqytet përballë Tiranës, duke u hakmarrë disi për atë disfatë në finalen e disa ditëve më parë në Kupën e Republikës. Kuqeblutë e trajnerit Gjuka triumfuan pas kohës shtesë me rezultatin 110-116 (26-20, 21-26, 29-16, 23-37, 11-17).

Ndeshja e zhvilluar në “Farie Hoti” ishte mjaft e bukur. Ndonëse e pa veten deri në 17 pikë avantazh, Tirana nuk arriti të menaxhonte lojën. Me dy kosha për 3 dhe 2 pikë në sekondat e fundit nga Cooper dhe Bulter, kuqeblutë e dërguan ndeshjen në shtesë, aty ku më pas u treguan më të saktë se kryeqytetasit.

Në ndeshjen tjetër, Partizani mori një fitore shumë të rëndësishme në derbin e “mbijetesës” përballë Dinamos. Të kuqtë dominuan dhe triumfuan në shifrat 54-80 (6-25, 17- 15, 19-17, 12-23) në “Asllan Rusi”, duke i zhytur në fundin e tabelës dinamovitët.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL