BASKET/ Besëlidhja nuk di të ndalet, shkatërron edhe Tiranën. Apolonia, festë me përmbysje kundër Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2024 | 9:28

BASKET/ Besëlidhja nuk di të ndalet, shkatërron edhe Tiranën. Apolonia, festë me përmbysje kundër Vllaznisë

Superliga e basketbollit për meshkuj ka mbyllur javën e pestë, javë që shënon edhe fundin e fazës së parë të kampionatit.dsfNjë edicion, ashtu sikurse i kaluari, i cili po shënohet nga dominimi absolut i Besëlidhjes. Kampionët në fuqi regjistruan suksesin e pestë, teksa mbrëmjen e djeshme mundën Tiranën në sallën “Farie Hoti” me rezultatin e thellë 65-93. Kualiteti, organizimi dhe organika më e gjerë e skuadrës së Afrim Bilalit bënë edhe një herë diferencën në parket. Takimi filloi me emocione, teksa kapiteni Red Vogli për Tiranën, amerikani Garrick për Besëlidhjen si dhe sërish Vogli, elektrizuan sallën me 3-pikësha që në start. Por gradualisht miqtë morën kontrollin e lojës dhe nisën dominimin në parket, për ta fituar periodën e parë thellë, 16-33.

Çereku i dytë mbyllet në ekuilibër 19-19, ndërsa ekipet shkojnë në pushimin e madh me avantazhin e lezhjanëve 35-52 në shifra të përgjithshme. Tirana futet më mirë në periodën e tretë, të cilën e merr 18-11, duke u afruar në 10 pikë, 53-63, pas 30 minutash lojë. Por Besëlidhja merr “arratinë” në çerekun e fundit, teksa fiton thellë 12-30, duke vulosur suksesin final me +28 pikë. Pesë lojtarë të Besëlidhjes prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa shënues më i mirë ishte Eldi Hysa me 17 pikë. Për Tiranën rendimentin më të lartë realizativ e kishte Frenki Lilaj me 21 pikë. Përcaktues në takim ishte efikasiteti i lojtarëve të stolit, me 41 pikë për Besëlidhjen, ndërsa bardheblutë e Erkand Karajit nuk regjistruan asnjë kosh nga lojtarët e pankinës. Me një Besëlidhje të pakonkurrueshme, faza e parë e Tiranës mbetet gjithsesi pozitive, pasi edhe pse me një ekip tërësisht vendor, bardheblutë e mbyllin në vend të dytë.TFitore të rëndësishme arriti edhe Apolonia, e cila mposhti Vllazninë me rezultatin 86-83 (23-26, 18-23, 22- 14, 23-20), sfidë e zhvilluar të shtunën në Fier. Një ndeshje e bukur dhe me emocione nga fillimi e deri në fund. Shkodranët ishin më mirë në dy periodat e para, por vendësit përmbysën gjithçka në pjesën e dytë. Hamilton me 25 pikë, Tucker me 11 pikë dhe 14 kërcime si dhe Harris me 14 pikë dhe 10 kërcime udhëhoqën Apoloninë në këtë sukses. Për Vllazninë rendimentin më të lartë e kishin Walton me 19 pikë dhe 10 kërcime si dhe Wilkins me 22 pikë, por që mbetën vetëm për vlerë statistikore, ndërsa kuqeblutë e mbyllin fazën e parë në vend të fundit, shumë larg pritshmërive të fillim-sezonit.APNë takimin hapës të javës, të premten Kamza mposhti thellë Teutën 91-53.SUARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"