BASKET/ Besëlidhja e nis me trofe, thyen me tri shifra Tiranën në finale dhe fiton Kupën e Federatës
Besëlidhja e basketbollit të meshkujve e ka nisur me këmbë të mbarë edicionin 2023-2024, duke fituar trofeun e parë sezonal, Kupën e FSHB-së. Ashtu sikurse një vit më parë, lezhjanët kanë mundur në finale Tiranën, për ta filluar sezonin me festë.
Ndonëse bëhet fjalë për një kompeticion më tepër kolaudues për ekipet në prag të kampionatit, skuadra e Afrim Bilalit e kishte vlerësuar në mënyrën e duhur këtë aktivitet, duke marrë edhe triumfin e merituar.
Lezhjanët fituan kundër bardhebluve me rezultatin treshifror 100-86 në një finale të bukur dje në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”. Pas 30 minutash të ekuilibruara, ekipi verior e bëri diferencën në periodën e fundit, duke u treguar më i qartë dhe më i freskët fizikisht se kundërshtari.
NDESHJA – Tirana e nisi lojën me një ekip tërësisht shqiptar, të formuar nga Vogli, Strazimiri, Alimani, Hysenagolli dhe Lilaj. Besëlidhja me tre vendorë, Beqo, Hamati dhe Hysa, ndërsa amerikanët Wekees dhe Marquardt plotësuan pesëshen.
Seria e koshave në finale u hap me një finalizim të saktë për 3 pikë nga kapiteni i Tiranës, Red Vogli. Perioda e parë vijoi me ritëm shumë të lartë nga të dyja kampet, 10- minutësh që u mbyll 30-27 për Besëlidhjen. Edhe perioda e dytë ishte tepër e luftuar, e fituar 19- 20 nga kampionët e Shqipërisë, ndërsa në shifra të përgjithshme pas 20 minutash ishin lezhjanët përpara 49-47.
Rivaliteti vijon edhe pas pushimit, me periodën e tretë që mbyllet 24-25 për kryeqytetasit e Erkand Karajit, ndërsa lezhjanët kryesojnë pas tri periodash me vetëm 1 pikë, 73-72.
Në çerekun e fundit Besëlidhja mban ritëm të lartë, ndërsa Tirana pëson rënie në lojën e saj. Kështu skuadra e Bilalit e fiton thellë këtë fraksion 27-14, duke vulosur suksesin treshifror 100-86.
Më tej është radha për festën e merituar të lojtarëve të Besëlidhjes, me kapitenin Elvis Beqo që ngre lart trofeun e Kupës së FSHBsë. Për sa u përket statistikave individuale, i gjithë formacioni lezhjan e mbylli në dopioshifër pikësh, ndërsa më i miri ishte një ish-bardheblu, MVP i kampionatit të kaluar, Julian Hamati, autor i 25 pikëve, 13 kërcimeve dhe 4 asisteve.
Ndeshja mjaft e mirë edhe për Hysën me 21 pikë, si dhe për amerikanin Wekees, autor i 16 pikëve dhe 12 kërcimeve. Për Tiranën shkëlqyen garda e vjetër: Red Vogli, autor i 21 pikëve, me 7 finalizime të sakta për 3 pikë, si dhe Hysenagolli, protagonist i 18 pikëve dhe po kaq kërcimeve.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"