Barcelona mori fitoren e dytë radhazi në La Liga, Flik: Shpresoj ta kem edhe Dani Olmon të martën kundër Vajekanos
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flik, ka folur pas fitores kundër Bilbaos, duke vlerësuar paraqitjen e bërë nga skuadra e tij.“Mendoj se ishte një fitore e merituar nga ne përballë një rivali aspak të lehtë. Megjithatë i kemi imponuar lojën tonë dhe në fund kemi marrë një fitore me shumë vlera. Unë i shikoj gjërat pozitivisht dhe këtë ua kam thënë lojtarëve. Kemi dëmtime, kemi mungesa dhe lojtarë që nuk mund të luajnë, por nuk duhet t’i kushtojmë vëmendje asaj që nuk mund ta kontrollojmë. Po punojmë mirë. Në nivel mbrojtës jemi mirë”, tha ai.
Në fjalën e tij, trajneri gjerman i Barcelonës ka folur dhe për blerjen e verës, Dani Olmo, i cili vazhdon të mos jetë i federuar.
“Dani Olmo ëstë një lojtar shumë i mirë, pasi këtë e shoh çdo ditë në stërvitje. Më vjen keq që nuk e kam ende në shërbim të ekipit. Kam shpresa se do të jetë të martën kundër Vajekanos. Por vetëm kaq mund të them, sepse nuk di më shumë. Për fat të keq nuk është në dorën time”, tha Flik.
Trajneri ka diskutuar dhe për të rinjtë, por dhe për takimin e nesërm në La Liga kundër Vajekanos.
“Jam i kënaqur me të rinjtë, por jam më i lumtur me të gjithë ekipin. Ka një atmosferë të mirë dhe qëndrimi i lojtarëve është fantastik. Është kënaqësi të punosh me këta lojtarë. Ata pranojnë me dëshirë propozimet tona. Të kesh gjashtë pikë na ndihmon. Sa për ndeshjen kundër Vajekanos, të shohim. Kemi pak orë për të vendosur”, shpjegoi ai.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"