Barazoi Partizanin në fund, Lloci: Meritonim fitore, Teuta kap “Final 4”
Matias Lloci luan sezonin e dytë me Teutën, ku arriti të ambientohej shumë shpejt dhe tashmë konsiderohet si një nga liderët dhe lojtarët kyç nën drejtimin e Edi Martinit.
Në ndeshjen e fundit kundër Partizanit ishte mesfushori ai që arriti të finalizojë me saktësi 11-metërshin në minutën e fundit dhe të shpëtojë 1 pikë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Lloci shprehet se Teuta meritonte fitoren ndaj “Demave” dhe se loja e mirë nuk po përkthehet me rezultatet e merituara.
I riu shprehet se objektivi i këtij sezoni te Teuta është pjesëmarrja në “Final 4”.
Ishte barazim i merituar ai kundër Partizanit? Sigurisht që po, madje unë mendoj se ne meritonim më shumë sot. Edhe në Elbasan mendoj se meritonim më shumë se një pikë.
Shënuat golin e parë në këtë sezon, a prisnit të vinte më shpejt sesa java e 12-të? (Qesh) Por varet edhe nga roli që bëj në fushë. Në këtë sezon më së shumti unë kam luajtur në pozicionin si numër 6 dhe kam qenë më larg portës, çka edhe ul shanset për të shënuar.
Në pjesën e dytë arritët ta dominonit Partizanin, çfarë ndikoi që skuadra e ndryshoi komplet qasjen? Në pushimin e ndeshjes folëm bashkë se duhet të japim akoma më shumë nga vetja. I thamë njëri-tjetrit se duhet të gjejmë golin dhe se duhet të jemi më prezent në zonën e kundërshtarit. Më pas ndikoi edhe tërheqja graduale e Partizanit për të ruajtur rezultatin. E kuptuam se duhet të vazhdojmë me më shumë agresivitet dhe ashpërsi përpara portës.
Cilat janë objektivat e Teutës në këtë sezon? Është “top 4”, mendoj se kemi forcën për t’u përfshirë mes katër skuadrave më të mira të këtij sezoni.
E patët të vështirë të luanit pa direktivat e trajnerit Martini? Është pak e vështirë kur trajneri është larg ekipit, por gjithë javës kemi punuar bashkë dhe e dinim shumë mirë se çfarë duhej të bënim në fushë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"