“Barazimin me Besën, moral për vazhdimësinë”, Raza: Burreli t’i harrojë pikët, kësaj radhe fiton Pogradeci
Përveç barazimit me vlerë, që liqenorët morën në transfertën e vështirë të Kavajës, kjo ndeshje solli edhe pikën e parë jashtë fushe për këtë sezon. Ajo që rrit më shumë vlerën e këtij barazimi, ishte se u arrit në transfertë ndaj një pretendenti si Besa.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, mesfushori i liqenorëve, Redon Raza, pohon se pika ndaj Besës konfirmoi se skuadra ka forcën e duhur për t’u përballur në transfertë me çdo kundërshtar. “Ndeshja ndaj Besës ishte e luftuar nga të dy skuadrat. Me pak kujdes, mund të kishim dalë me pikët maksimale, pasi me rastet e krijuara ju afruam disa herë golit. Me pikën e marrë, aq më tepër në një fushë të vështirë si ajo ndaj Besës, thyem një tabu që ishte marrja e një pike jashtë fushës tonë. Barazimi me Besën mund të na shërbejë si pikë morali për ndeshjet e ardhshme”, u shpreh Raza në fillim.
Dje, skuadra liqenore ka nisur nga puna për përgatitjet për ndeshjen e radhës, ku në “Gjorgji Kyçyku” presin Burrelin. Humbja e shkaktuar në fazën e parë në minutën e fundit të shtesës në “Liri Ballabani”, vazhdon të jetë e freskët për pogradecarët. “Do të jetë një ndeshje interesante, pasi dy skuadrat janë rivale për të qenë pjesë e gjashtëshes së parë. Ende e kemi të freskët humbjen e pësuar në minutën e fundit të shtesës. Ishim pranë barazimit, pro goli i pësuar në fund, shoi çdo iluzion për të marrë pikë. Këtë radhë, fitorja do t’i takojë skuadrës sonë. Klima që ekziston në skuadër është ajo më e mira dhe mundësitë për të marrë tri pikët janë më se të mundshme”, mbylli prononcimin tij, mesfushori Redon Raza, i përfshirë te pogradecarët në merkaton e verës.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"