“Barazimi në derbi na dha shpresë”, Gjata: Vazhdoj të shënoj, do ta shpëtojmë Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2023 | 21:24

“Barazimi në derbi na dha shpresë”, Gjata: Vazhdoj të shënoj, do ta shpëtojmë Apoloninë

Janë akoma në rrezik, por të paktën nuk janë në zonën e rënies. Barazimi që morën në “Roza Haxhiu” u ka mjaftuar fierakëve. Apolonia ishte duke humbur, por mendoi Mario Gjata që të shmangte më të keqen.

Gjata

Shënoi dhe i dha një pikë shprese skuadrës së tij. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi analizon me detaje derbin kundër Lushnjës, golin dhe pritshmëritë në 9 javët e mbetura.

Vetëm barazim në derbi. A mjafton një pikë përballë Lushnjës?

Të tregohem i sinqertë, jam pjesërisht i kënaqur. Nuk ishte një ndeshje e lehtë, për më tepër ndaj një rivali direkt për mbijetesën. Megjithatë, luajtëm mirë dhe në fund morëm një pikë të rëndësishme. Pavarësisht se në çdo ndeshje ne futemi me qëllimin e qartë për të fituar, një barazim në transfertë duhet të na japë forcë dhe shpresë.

Nuk po i largoheni dot rrezikut, sidoqoftë. A ndiheni nën presion nga renditja?

Presioni dhe shtysa për ta ndryshuar situatën tonë në tabelën e renditjes po ecin paralelisht. Në këtë fazë të nxehtë të kampionatit, detyra jonë e vetme është të vlerësojmë njësoj çdo ndeshje, qoftë brenda apo jashtë fushe. Ne nuk ndihemi aspak të mposhtur e aq më pak të dorëzuar. Apolonia do t’u bëjë ballë sfidave, sepse më e mira është përpara. Shumë ndeshje dhe shumë pikë në lojë që mund të përmbysin gjithçka në klasifikim.

Shënuat një tjetër gol me vlerë për Apoloninë…

Për çdo sulmues goli është shumë i rëndësishëm. Nga njëra anë të gëzon dhe nga ana tjetër të motivon më shumë për vazhdimësinë. Jam këtu për të dhënë më të mirën time dhe nuk do të ndalem derisa Apolonia të ngjitet në vendin që i takon ose e meriton. Do të vijoj të përmirësohem dhe sigurisht të shënoj gola të tjerë me shumë vlerë.

Pas këtyre rezultateve dhe pozitave që keni në tabelë, a është e qetë skuadra psikologjikisht për të përballuar Tërbunin?

Qetësi nuk ka dhe nuk mund të ketë në situatën ku jemi. Ama nuk ka as kohë për të humbur që ta përgatisim shpejt e me detaje ndeshjen e radhës. Trajneri Veljko Dovedan po na ndihmon shumë në aspektin psikologjik, sepse e kemi të nevojshme pas këtyre rezultateve jo fort pozitive.

Mjafton të ulim kokën, të punojmë me intensitet dhe në fushë të hyjmë me besimin e plotë për të fituar ndaj pukjanëve. Pikët e plota janë domosdoshmëri për ne, jo vetëm se rritemi tri pikë në renditje, por edhe se rritemi shumë moralisht.

E shihni këtë javë si moment kthese?

Jo vetëm si moment kthese, por edhe si një ndeshje vendimtare, në të cilën ne duhet të marrim maksimumin e pikëve. Nderojmë tifozët tanë, rritemi shumë moralisht, ngrihemi disa vende në tabelën e renditjes dhe në fund synojmë të arrijmë objektivin tonë madhor.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"