Barazimi me Laçin s’e shëroi, Elbasani e sheh “shpresën” te ndalesa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2024 | 10:53

Barazimi me Laçin s’e shëroi, Elbasani e sheh “shpresën” te ndalesa

Barazimi i koleksionuar në Laç në shifrat 1-1, për mënyrën sesi shkoi, edhe mund t’i ketë lënë të kënaqur elbasanasit, por në situatën ku ndodheshin, i bënin punë vetëm tri pikët.ElbasaniVerdheblutë shkuan në gjashtë ndeshje radhazi pa fituar, mes tyre pesë barazime dhe ajo humbje turpëruese ndaj Dinamos, duke humbur shumë nga ato javë të para, ku shiheshin si një ndër ekipet që do të rivalizonte fort për kreun e renditjes. Një situatë, që përveçse ka bërë që të zbresin nga vendi i katërt, tani i vendos tri pikë larg këtij pozicioni, ndërsa me vendin e parë janë plot shtatë pikë larg dhe presioni sa vjen e rritet.

PUSHIME SI ME POROSI – Edhe kësaj here pushimet dyjavore kanë ardhur si me porosi tek Elbasani. U bë e modës që verdheblutë të shpresojnë gjithnjë që pas pushimeve të rikuperojnë lojtarët e dëmtuar. Duhet thënë se për asnjë ndeshje të vetme kontigjenti nuk ka qenë i plotë, me dëmtimet, që i janë bërë “makth”. Tani, me rastin e ndalesës së kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares, për të rikuperuar ka më shumë kohë në dispozicion.

Kështu, Arsen Kasa, Emiljano Musta dhe Bruno Telushi janë në “luftë me kohën” për të qenë gati në ristartin e kampionatit. Mirëpo, ky pushim nuk i bën mirë vetëm për rikuperimet, por edhe në aspektin psikologjik. Skuadra për afro dy muaj nuk gjen dot rrugën e fitores, edhe pse nuk i kanë munguar ndeshjet pozitive që mund t’i mbyllte edhe me tri pikë. Me pak fjalë, këto ditë më të gjata pushimi do t’i shërbejnë skuadrës për të rikuperuar dëmtimet dhe u kthjelluar disi në aspektin moral.

KUPA – Përpara rinisjes së kampionatit, verdheblutë kanë një mundësi zhbllokimi nëpërmjet Kupës. Thuhet kështu, pasi verdheblutë do të sfidojnë Ilirinë e Kategorisë së Dytë këtë tur dhe në njëfarë mënyre shihet si një ndeshje e lehtë në letër. Si për ironi, fitorja e fundit e Elbasanit është pikërisht në Kupë, ku mposhtën Turbinën me rezultatin 4-0. Edhe në atë periudhë ekipi vinte pas një ngërçi në rezultate, por edhe pse u zhbllokuan në këtë kompeticion, rezultatet pozitive në kampionat i munguan. Tani shpresohet që nëpërmjet Kupës të gjejnë zgjidhje edhe për situatat që mund të hasen gjatë kampionatit, ndonëse bëhet fjalë për kundërshtarë të një tjetër niveli.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"