Barazim që duket si humbje, Inzagi thumbon: Shije e hidhur, arbitrat mund të gabojnë
Barazimi i Interit lë shije të hidhur si një humbje. Ndonjë lojtar është i kënaqur, ndërsa të tjerë mendojnë se skuadra ka lënë dy pikë. Edhe trajneri Simone Inzagi është i zhgënjyer për këtë rezultat. Ai thotë se skuadra bëri gjërat siç duhet dhe i ka dhënë merita Bolonjës për faktin se bëri një paraqitje shumë pozitive dhe e presoi lartë në fushë. Ai gjithashtu thumboi me stil arbitrat duke thënë se mund të gabojnë sepse janë njerëz, ashtu siç bënë në Superkupën e Italisë.
BARAZIMI- “Komplimente Bolonjës. Është një skuadër e vështirë për t’u përballur. Kemi bërë një paraqitje pozitive. Vijmë nga një kalendar i ngjeshur, por luftuam dhe krijuam raste. Po ashtu edhe pësuam. Në golin e dytë duhet të ishim pozicionuar më mirë, por kishim raste për golin e tretë. Kemi pësuar një gol të pafat nga një devijim. Sigurisht që jemi të zhgënjyer që nuk morëm 3 pikët, por duhet të respektojmë edhe rivalin. Skuadra bëri atë që unë kërkova”.
PIKA- “Sigurisht që një pikë mund të vlejë, por na lë shije të hidhur ky barazim sepse duam gjithmonë të fitojmë dhe rastet i patëm. Por nuk është e lehtë të luash ndaj një skuadre fizike dhe të organizuar. Kemi bërë një ndeshje të mirë, me dy gola të shkëlqyer dhe disa aksione që duhet t’i lexonim më mirë”.
ZHGËNJIMI- “Sigurisht që jam i zhgënjyer edhe për faktin që nuk shënuam shumë gola dhe për faktin që pësuam të dytin. Ishte një top shumë i lehtë i hedhur në zonë. Por ata ishin të zotët ta shfrytëzonin siç duhet, ndërsa ne nuk i bëmë mirë detyrat në atë moment”.
RIVALËT- “Nuk e di si do të ndikojë ky barazim te rivalët. Ne duhet të shohim veten që vijmë nga 6 ndeshje, ku kemi arritur ta vendosim veten në një pozicion të shkëlqyer në tabelë. Tani duhet të bëjmë diçka më shumë për të parë nga kreu. Kemi pasur probleme me dëmtimet, por ky është kalendari. Tani duhet të bëjmë më shumë sepse çdo ndeshje është e vështirë në kampionat”.
FUNDI- “Nuk ndodhi asgjë. Lojtarët ishin pak të nervozuar dhe unë shkova që të mos e tepronin dhe të mos ndëshkoheshin. Arbitrat mund të gabojnë si sot, ose si në finalen e Superkupës, por kanë mbështetjen time. Nuk doja që ta tepronin në fund lojtarët sepse ishte diçka që mund t’u kushtonte shumë. Por arbitrat mund të gabojnë sepse janë njerëz ashtu si ne. Të gjithë të shohim përpara për t’u përmirësuar”.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"