ATLETIKË/ Rrebeshi shtyn me dy orë garat, mbahet dita e parë e kampionatit
Rrebeshi shtyn me dy orë garat, mbahet dita e parë e kampionatit Janë mbajtur në qytetin e Elbasanit garat e kampionatit të 85-të kombëtar për të rritur. Ky aktivitet do të zhvillohet për dy ditë me radhë, teksa sot do të garojnë edhe atletët në disiplinat e tjera.
Dita e parë e garave, nisi me dy orë vonesë për shkak të rrebeshit të shiut që ra në qytetin e Elbasanit, duke bërë që pista të mbushej me ujë, në të cilën ishte i pamundur zhvillimi i garave. Një mot i keq që në njëfarë mënyre ndikoi edhe në rezultatet e atletëve, të cilët nuk patën mundësinë të jepnin maksimumin e tyre në këtë aktivitet.
GARAT – Sa u përket disiplinave, në garën e 110 m/p, i pari doli atleti i ekipit të Vllaznisë, Durjon Idrizaj me kohën 15.54. Elisa Myrtollari e Skënderbeut e përshkoi më shpejt nga të gjithë garën e 100 metrave për femra me kohën 12.44. Për të vijuar më pas me garën e 800 metrave, ku vendi i parë i takoi Kelmend Ibraliut të Partizanit me kohën 2.09.93.
Në kërcimin së larti ishte atleti i Vllaznisë, Glenis Haxhiu, me 1.80, që zuri vendin e parë, ndërsa për femrat e para doli Rexhina Berami e Partizanit që kërceu 1.55 metra. Në garën e 1500 metrave për femra e përshkoi më shpejt distancën Relaksa Dauti e Tiranës me kohën 4.52.16. Franko Burraj i Vllaznisë dhe Iliana Beqiri e Tiranës dolën të parët në garën e 400 metrave, respektivisht me kohën 48.60 dhe 59.39. Tirron Mamusha që garon për ngjyrat e Elbasanit me kohën 9.33.60 doli i pari në garën e 3000 metrave. Në 5000 metra Relaksa Dauti doli e para me kohën 17.36.34. Në 440 m/p ishte Uibi Ahmet e Skënderbeut që e përshkoi distancën me kohën 1.04.44 duke zënë edhe vendin e parë.
Figalia Gjati e Partizanit doli e para në kërcimin së gjati me 5.28 metra. Igli Nelaj i Teutës dhe Adisa Arifaj e Mjeshtërisë Sportive dolën të parët në hedhjen e shtizës me distancën 40.20 dhe 22.79. Në stafetën 4×100, femra, ishte ekipi i Tiranës që doli në vendin e parë me kohën 48.93. Sakaq, disiplinat e mbetura do të mbahen ditën e sotme po në “Elbasan Arena”, në një kohë që shpresohet edhe te një mot më i qëndrueshëm për të pasur mundësinë që atletët të japin më të mirën e tyre në garat ku marrin pjesë.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"