ATLETIKË/ Kampionati kombëtar, Luiza Gega dhe Franko Burraj nuk njohin rivalë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2023 | 9:31

ATLETIKË/ Kampionati kombëtar, Luiza Gega dhe Franko Burraj nuk njohin rivalë

Janë mbyllur garat e Kampionatit Kombëtar të Atletikës për të rritur që u mbajtën për dy ditë me radhë në stadiumin “Elbasan Arena”. Nuk ka pasur surpriza sa u përket fituesve, teksa ashtu siç pritej dominuan Tirana për femra dhe Vllaznia për meshkuj, të cilat nuk patën konkurrencë në renditjen ekipore.

GEGA BURRAJ

E njëjta gjë edhe sa u përket atletëve më të mirë, ku Luiza Gega arrin të zërë vendin e parë me 1031 pikë, ndërsa te meshkujt atleti më i mirë doli Franko Burraj i Vllaznisë. Ndryshe nga dita e parë ku garat u ndikuan nga një mot i paqëndrueshëm me rrebeshe shiu, dje atletët u përpoqën të japin maksimumin e tyre në një kohë të kthjellët.

GARAT – Sa u përket disiplinave në të cilat garuan atletët, në garën e 100 metrave për meshkuj vendi i parë i takoi Leandro Çardakut të Vllaznisë me kohën 11.04. Melisa Sina e Partizanit doli e para në garën e 100 metrave me pengesa, ku e përshkoi distancën me kohën 14.85. Në garën e 400 metrave me pengesa doli i pari Durjon Idrizaj i Vllaznisë me kohën 56.79.

Bledar Mesi i Tiranës zuri vendin e parë në garën e 1500 metrave me kohën 4.27.46. Për të vijuar më pas me trehapëshin, ku vendet e para i takuan Erdi Dukës të Vllaznisë dhe Joana Golit të Tiranës, ku kërcyen respektivisht 15.02 dhe 11.62 metra. Hedhja e gjyles u takoi dy sportistëve të Teutës, Azgan Zekës dhe Emiljana Çikos, me distancën 14.93 dhe 9.03 metra.

Në garën e 200 metrave vendi i parë i takoi Franko Burrajt të Vllaznisë me kohën 21.25 dhe Iliana Beqirit të Tiranës me kohën 25.32. Tirron Mamusha që garon për ekipin e Elbasanit zuri vendin e parë në garën e 5000 metrave me kohën 15.48.84. Në garën e 3000 metrave Redia Dauti e Tiranës mori vendin e parë me kohën 10.11.68. Në 3000 metra me pengesa sportistët e Tiranës, Bledar Mesi dhe Luiza Gega, e përshkuan këtë distancë, respektivisht 10.01.22 dhe 9.36.58. Në ditën e parë Gega garoi edhe në garën e 10000 metrave, duke e arritur me kohën 35.49.53. Ndërsa Ilir Këllezi i Skënderbeut e përshkoi këtë distancë me kohën 35.31.44.

Në kërcimin së gjati vendin e parë e zuri Muhamet Çengeli i Vllaznisë me rezultatin 7.38. Sa u përket stafetave, edhe ato nuk patën shumë histori, teksa në 4×100 për meshkuj dolën të parët atletët e Vllaznisë me kohën 43.41. Ata dolën të parët edhe në 4×400, kësaj here me kohën 3.29.76. Te femrat në këtë disiplinë vendin e parë e zuri ekipi i Tiranës me kohën 3.29.76.

atletike (2)

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"