“Asnjë peng nga merkatoja”, Edmond Dalipi tregon objektivat: Luftëtari im, për Kategorinë e Parë
Luftëtari e nis sezonin 2023-2024 në trans fertë ndaj Labërisë, të dielën në orën 15:00, teksa Edmond Dalipi bën debutimin në stolin bluzi. Trajneri 51-vjeçar ka qenë te Luftëtari si futbollist në vitin 2004 dhe tashmë rikthehet në Gjirokastër me synimin për të ngjitur ekipin në Kategorinë e Parë.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, Dalipi ka folur për përgatitjet, javën e parë dhe synimet që ka klubi.
Zoti Dalipi, jeni i kënaqur me përgatitjet e deritanishme?
Po, jam shumë i kënaqur me punën e deritanishme dhe grupin aktual të futbollistëve. Po stërvis një skuadër që ka frymë grupi. Nëse ke dëshirë për të punuar, çdo gjë mund të arrihet. Po përgatitemi ditë pas dite me synimin e vetëm për të arritur objektivin e klubit.
Cili do të jetë objektivi i Luftëtarit në sezonin e ri?
Kam ardhur si trajner te Luftëtari me objektiv të qartë: ngjitjen në Kategorinë e Parë. Është mision i vështirë, por jo i pamundur. Unë besoj se Luftëtari në fund të sezonit do ta gjejë veten të ngjitur.
Është gati skuadra për të nisur sezonin e ri dhe a ka diçka që ju shqetëson para startit?
Jemi gati për të nisur kampionatin ashtu siç duhet. Me grupin e lojtarëve që kam gjetur nga sezoni i kaluar, por edhe afrimet që kemi bërë në merkaton verore, i kemi të gjitha mundësitë për t’u rikthyer në Kategorinë e Parë.
Kemi mbështetjen e presidentit Flamur Golemi dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur synimin që kemi. Personalisht kam veshur fanellën e Luftëtarit si futbollist gati 20 vjet më parë dhe tashmë rikthehem në Gjirokastër si trajner. Është koha që respektin në adresën time ta përkthej me rezultate pozitive për Luftëtarin.
Sa i përket merkatos verore, janë afruar lojtarë që keni pasur ju në plane apo keni ndonjë peng për ndonjë emër?
Jo, nuk kam asnjë peng. Ekipin e kam të kompletuar, pasi repartet janë të dubluara, duke filluar nga porta, mbrojtja, mesfusha dhe sulmi. Aty ku ka konkurrencë, ka edhe më shumë ego, dëshirë dhe përkushtim për të dhënë më të mirën në fushë. Kur bëhet fjalë për të veshur fanellën e Luftëtarit, të gjithë lojtarët duhen të kenë parasysh se vendi i titullarit fitohet me punë dhe jo me emër.
Cili është kundërshtari i Luftëtarit këtë sezon?
Unë nuk njoh asnjë kundërshtar, përveçse Labërinë.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Për mua si trajner, çdo rival që kemi në grupin ku bëjmë pjesë, meriton respekt maksimal. Labëria është kundërshtari i parë dhe duhet mundur. Unë besoj se të dielën nisim një luftë sportive dhe me ushtarët e mi, që janë futbollistët, besoj se beteja e parë do të flasë për Luftëtarin.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"