Asnjë mungesë për Flamurtarin, trajneri Agostineli: Ky është problemi im tani!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2024 | 12:40

Asnjë mungesë për Flamurtarin, trajneri Agostineli: Ky është problemi im tani!

Andrea Agostineli kërkon vazhdimësinë, por edhe impenjim maksimal në Kukës. Kreu i pankinës së Flamurtarit dëshiron nga futbollistët përulësi dhe të mos mendojnë se po shkojnë në një ndeshje miqësore.

agostineli

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri thotë se edhe kjo sfidë e radhës duhet fituar. Skuadra po e kënaq me paraqitjet e fundit dhe është më se i bindur, se këtë sezon do të kapet patjetër Superiorja. Garën e shikon shumë të vështirë me tre-katër rivalë, por jo të pamundur. Duke u treguar i sinqertë, italiani thotë se rikthimin e të gjithë lojtarëve tani fillojnë edhe problemet për të, pasi i duhet të përzgjedh me kujdes në një kohë që në skuadër ka shumë cilësi.

Agostineli, çfarë prisni nga ndeshja me Kukësin?

Ne do të shkojmë në Kukës të bëjmë futbollin tonë. Udhëtojmë në këtë transfertë me një përulësinë të madhe. Nëse mendojmë se fitorja me Vorën na shërben që të shkojmë në Kukës dhe të bëjmë një miqësore, gabojmë shumë. Nëse shkojmë të përulur dhe me dëshirën që kishim në ndeshjen e shkuar, mund ta fitojmë këtë sfidë.

Si ndiheni me këtë skuadër?

Ndihem mirë me këtë Flamurtar. Që ditën e parë që kam ardhur këtu kam thënë, që me këtë skuadër ne do të ngjitemi në Superiore. Por, ndeshjet duhet që të luhen të gjitha.

Cilët janë rivalët tuaj?

Janë tri-katër ekipe pretendente, si Vora me të cilën u përballëm. Ajo është një skuadër shumë e vështirë dhe jo e lehtë. Në fakt të gjithë rivalët janë të vështirë.

A jeni i kënaqur me fitoren, golat, lojën në takimin me Vorën?

Jam i kënaqur, jo i lumtur. Është një kampionat i gjatë. Më pëlqen që kemi marrë dy goditje në portë dhe kemi pasur të paktën 15 raste për gol në ndeshjen me Vorën. Kjo do të thotë që ekipi ka një identitet dhe një ekuilibër.

Në ndeshjen e kaluar bëtë ndryshime në formacion, duket se funksionuan apo jo?

Po, është e vërtetë që funksionoi gjithçka shumë mirë. Futbollistët ishin të motivuar pasi kanë bërë një super ndeshje me një ekip shumë të fortë. Të gjithë dhanë maksimumin. Edhe ata që u aktivizuan dhe që morën pak minuta në këtë ndeshje bën mjaft mirë.

Janë rikthyer dëmtimet, jeni më i qetë tashmë?

(Qesh) Tani janë problemet e mia, nuk janë më të lojtarëve. Më duhet të mendohem mirë për përzgjedhjet. Por, më mirë të kem këto probleme se sa të kem lojtarë të dëmtuar.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"