Asambleja zgjedhore, ja kush u zgjodh në krye të çiklizmit
Federata Shqiptare e Çiklizmit zhvilloi paraditen e së shtunës asamblenë e përgjithshme zgjedhore. Përfaqësuesit e klubeve shqiptare të çiklizmit u mblodhën në sallën olimpike “Feti Borova” në Tiranë për të zgjedhur presidentin dhe bordin e ri drejtues të FSHÇ-së. I pranishëm ishte edhe Vojo Malo, zv.president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, i cili pas shkarkimit të Viron Bezhanit siç dihet ka marrë kompetencat e presidentit të KOKSH.
Me 12 vota pro dhe asnjë kundër, Skënder Anxhaku u rikonfirmua edhe një herë tjetër në krye të Federatës Shqiptare të Çiklizmit. Ndonëse i vetëm në garë, Anxhaku pati mbështetje të plotë nga klubet dhe do të vijojë edhe për 4 vite të tjera të jetë në krye të çiklizmit. Kujtojmë që Anxhaku mban rolin e presidentit të FSHÇ-së prej më shumë se 20 vitesh. Ndërkohë përveç presidentit, Federata Shqiptare e Çiklizmit zgjodhi edhe bordin e ri drejtues. Kështu nga 11 propozime, u zgjodhën 6 më të votuarit, të cilat janë: Artan Gjurgjaj, Abedin Guzja, Arben Pinari, Shpat Karai, Donaldo Mukaj dhe Adrian Dreni. Tashmë në javët në vijim FSHÇ do të përcaktojë edhe kalendarin e ri të garave, por gjithçka mbetet pezull për shkak se qeveria ende nuk e ka çelur fondin grant për vitin 2021.
Dhe është pikërisht kjo tema më shqetësuese në ambientin e FSHÇ-së dhe te të gjitha federatat sportive në vend. Këtë e konfirmoi edhe presidenti Anxhaku në një prononcim për “Panorama Sport” pas rikonfirmimit në krye të federatës: “Qeveria duhet të ndërhyjë patjetër dhe të zhbllokojë ngërçin me fondin grant që jepet për sportin. Jemi në një vit olimpik dhe ende nuk bëjmë dot asnjë program për shkak se fondi nuk është çelur akoma gjë, që duhet të ishte bërë që disa muaj më parë”, u shpreh Anxhaku.
Megjithatë, ndonëse në një situatë të vështirë presidenti i çiklizmit deklaroi së federata ka objektiva të qartë për ta masivizuar këtë sport: “COVID-i sigurisht që e ka kushtëzuar të gjithë sportin, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, megjithatë ne nuk i kemi ndaluar aktivitetet. Ashtu si gjithnjë eventi kryesor mbetet Turi i Shqipërisë, një aktivitet me pjesëmarrje me më shumë se 20 shtete nga e gjithë bota, të cilin synojmë ta zgjerojmë edhe më shumë. Gjithashtu, prioritet do të mbeten edhe aktivitetet e moshave, pasi bëhet fjalë për të ardhmen e këtij sporti. Situata është pak e vështirë, por do të mundohemi t’ia dalim me sukses”, përfundoi Anxhaku. Kujtojmë që Federata Shqiptare e Çiklizmit ishte ndër të paktat federata në vend që arriti t’i përmbyllë të gjitha aktivitetet e saj për vitin 2020, ndonëse pandemia globale e Koronavirusit e kushtëzoi sistemin sportiv botëror.
ARTIN LLESHAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"