Arrihet akordi, klubi i Kategorisë së Dytë zgjedh trajnerin e ri
Tërbuni gjen trajnerin e ri. Pas dorëheqjes së Altin Xhahysës, klubi u ishte futur kërkimeve për pasardhësin dhe pas tri ditësh kanë “goditur”.
Kanë arritur përfundimisht akordin me Sinan Bardhin, që deri një sezon më parë drejtonte Turbinën dhe në të shkuarën ka qenë në stolin e skuadrave si Mamurrasi dhe Besëlidhja. Tekniku ka nisur tashmë nga puna dhe debutimin pritet që ta ketë në fundjavë përballë Naftëtarit. “Bonusi” i vetëm që kanë është faktori fushë. Luajnë në shtëpi dhe nga pukjanët pritet me çdo kusht kthesa. Kujtojmë që luhatjet në rezultate sollën ndryshime në pankinë.
Dihet që në Pukë kanë synime të mëdha dhe i njëjti mision vlen edhe për teknikun e emëruar rishtas. Skuadra pas 5 ndeshjesh të luajtura ka grumbulluar vetëm 7 pikë (pas 2 fitoresh, 1 barazimi dhe 2 humbjesh) dhe janë shumë pak për të qenë pretendentë. Edhe pse rrugëtimi është i gjatë dhe i vështirë, shanset janë dhe me këtë parim po ecin edhe te Tërbuni.
GANI PEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"