Arnold gol spektakolar, Slot largon zërat nga Reali: Mendja e tij është në Liverpul

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2025 | 20:15

Arnold gol spektakolar, Slot largon zërat nga Reali: Mendja e tij është në Liverpul

Trajneri i Liverpulit, Arne Slot, vlerësoi Trent Aleksander-Arnoldin pasi goli i tij mahnitës ndihmoi në fitoren me “poker” ndaj Akrington Stenlit në raundin e tretë të Kupës FA.

slot

Mbrojtësi i djathtë, në skadencë kontrate në verë dhe një objektiv kryesor për Realin e Madridit, u kritikua ashpër për performancën e tij në barazimin 2-2 të Liverpulit me Mançester Junajtid, me shumë njerëz që mendonin se spekulimet rreth të ardhmes së tij kishin ndikuar në gjendjen e tij mendore.

Por nuk kishte shqetësime të tilla për Arnoldin kundër ekipit të Ligës së Dytë, Akrington, i cili luftoi me guxim në “Anfield”, përpara se cilësia e kryesuesve të Premier Ligës të dilte në pah. Zhota zhbllokoi rezultatin për Liverpulin pas një shkëputjeje të shpejtë dhe në minutën e fundit të pjesës së parë AleksanderArnold prodhoi një gol fantastik. “Unë mund të flas me orë të tëra për atë gol”, tha Slot për goditjen e mbrojtësit.

“Komplimenti më i madh që mund të merrte Trent ishte reagimi i të gjithëve pas ndeshjes me Mançester Junajtid. Çdo lojtar në mbarë botën, ndoshta përveç disave, bën një ndeshje të keqe dhe është krejtësisht normale. Por në momentin që Trent ka një të tillë, të gjithë kanë një mendim për të. Ndoshta kjo është për shkak të situatës së kontratës. Nëse nuk do të ishte ajo, nuk e di nëse njerëzit do të kishin reaguar në të njëjtën mënyrë.

Shumë prej tyre ishin mjaft të ashpër me të. Mendoj se ishte pozitive që Trent të luante në stadiumin tonë dhe të ndjente sërish pritjen e tifozëve. Ajo ishte e veçantë dhe mund të ndihmojë si atë ashtu edhe ne. Nëse doni të bëni gjëra të veçanta këtë sezon, ajo bëhet së bashku, jo vetëm me lojtarët, trajnerin, por me tifozët sigurisht”.

Reali ka bërë një qasje për produktin e akademisë së “Reds”-ave, por klubi i Mersejsajdit ende shpreson se i diplomuari i tyre do të firmosë një kontratë të re afatgjatë. Ai ka shprehur dëshirën për të fituar “Topin e Artë” dhe thuhet se në “Bernabeu”, klubi që e ka fituar 15 herë Ligën e Kampioneve, mund t’ia bëjë më të lehtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"