Apolonia s’heq dorë nga vendi i 4-t dhe Superiorja. Kastrati: Burreli e mbyll me fitore dhe shpëton
Burrelit i duhet sot fitorja në shtëpi kundër Apolonisë, për të siguruar mbijetesën pa ndeshje shtesë. “Fitorja kundër Korabit ishte shumë e rëndësishme, pasi çdo rezultat tjetër do të ndërlikonte pozitat në renditje.
Krahas marrjes së tri pikëve, ajo na shërben dhe si shtysë për të përballuar me sukses ndeshjen e sotme ndaj fierakëve. Nuk ka rrugë tjetër përveç fitores. Çdo rezultat tjetër do ta komplikojë situatën në renditje të Burrelit. Jemi përgatitur për të marrë trepikëshin e radhës. Jam optimist se një objektiv i tillë do të arrihet, pasi atmosfera në skuadër është më e mira. Fitorja kundër Apolonisë është mbyllja më e bukur e kampionatit”, u shpreh për “Panorama Sport” mbrojtësi Endrit Kastrati, autori i tre golave me peshë për matjanët në këtë sezon
Enea Topi: Apolonia s’heq dorë nga vendi i 4-t dhe Superiorja
Apolonia duket se është pajtuar në këtë fund kampionati me fatin e saj, ndonëse thuhet se vendin e katërt që të jep përfitime në fazën “play off” do ta synojnë edhe sot në transfertën e Burrelit. Në prag të kësaj ndeshje 19-vjeçari Ena Topi, për “Panorama Sport” deklaroi: “Si ekip jemi duke bërë më shumë stërvitje rikuperimi, pasi ndeshjet janë afër njëra-tjetrës.
Gjendja në skuadër duket shumë e mirë dhe jemi të gjithë optimistë. Apolonia duhet ta harrojë ndeshjen me Besën dhe të fokusohemi fillimisht te transferta e Burrelit. Atje shkojmë për 3 pikët dhe besojmë deri në fund te arritja e vendit të 4-t.
Apolonia i ka të gjitha shanset për t’u ngjitur në elitë përmes ‘play off’-it, pasi e kemi treguar me lojën tonë që i kemi të gjitha mundësitë për të triumfuar. Mjafton te jemi të fokusuar dhe të besojmë të gjithë
N.GOCI/ H. SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"