Apolonia kërkon mbrojtës, tre lojtarë vijojnë provën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2024 | 16:40

Apolonia kërkon mbrojtës, tre lojtarë vijojnë provën

Më pak si tri javë kanë mbetur nga starti i kampionatit dhe tek Apolonia duhet të nxitojnë për të afruar sa më shpejt në skuadër lojtarët, të cilët janë të nevojshëm për të kompletuar dhe njëkohësisht përforcuar ekipin.

korabi apolonia

Shqetësimi kryesor i drejtuesve fierakë është qendra e mbrojtjes, ku duhen edhe të paktën dy lojtarë të tjerë. Për momentin në këtë rol luajnë Repaj dhe Ndubuisi, por edhe anësori i majtë Asllanaj përshtatet si qendërmbrojtës. Ndërkohë që në provë është edhe një mbrojtës nigerian.

Stafi teknik kërkon të paktën edhe dy lojtarë me kualitet për qendrën, jo vetëm për të pasur alternativa gjatë një sezoni të gjatë dhe shumë të vështirë, por edhe për të rritur konkurrencën. Klubit i janë propozuar disa mbrojtës qendre të huaj, apo dhe shqiptarë që luajnë në Itali për shembull, por drejtuesit e Apolonisë kërkojnë garanci për nivelin e tyre para se të gjejnë gjuhën e përbashkët në aspektin financiar.

MESFUSHA DHE SULMI- Përveç mbrojtjes, tek Apolonia po shohin edhe disa pista të tjera për të kompletuar mesfushën dhe sulmin, edhe pse këto reparte nuk janë në emergjencë. Pikërisht në seancën e djeshme stërvitore ka pasur një lojtar të ri në radhët e fierakëve, sulmuesi Eugen Ramadani. Ai ka ardhur për provë te fierakët, nga Vllaznia e Pozheranit në Kosovë.

Bëhet fjalë për një 18-vjeçar, i cili luan në dy role në fazën ofensive, si mesfushor i majtë dhe si sulmues i majtë. “Panorama Sport” mëson se palët i kanë kryer edhe bisedat e para, por më parë drejtuesit kanë vendosur që si sulmuesi Eugen Ramadani, por edhe ata që do të bëhen pjesë e Apolonisë do t’i nënshtrohen fillimisht fazës së testimit.

Fierakët kanë njëherazi disa lojtarë vendës dhe të huaj në provë, ndaj duan të marrin kohën e nevojshme që të binden plotësisht, nëse ata vlejnë për të veshur fanellën bardhejeshile sezonin e ardhshëm apo jo. Në portë po testohet shkodrani Leonard Kaçaj, në mbrojtje nigeriani Mathias Namdi Zhosef dhe së fundmi në sulm Eugen Ramadani. Janë të tre lojtarë të rinj në moshë, që në fakt klubi fierak i ka si pjesë të rëndësishme të strategjisë së tij për të ardhmen.

HILMI SALIU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"