Apolonia fiton dhe përmbys Kukësin. Trifoni: Jemi çliruar me fitoren kundër verilindorëve
Apolonia merr tri pikë përballë Kukësit në transfertë, në një ndeshje të emocionuar dhe me mjaft rivalitet. Mjaftuan ekstremet e çdo pjese, që fierakët të shënonin dy herë, respektivisht me Trifonin në të 45-ën dhe Topin në të 89-ën, për t’i dhënë Apolonisë fitoren e parë sezonale.
Për Kukësin barazoi përkohësisht shifrat Beshiraj, që shënoi në të 67-ën nga pika e bardhë e penalltisë, por pa evituar debutimin me humbje të trajnerit Çela në këtë rikthim pas disa muajsh. Me këtë fitore fierakët i përmbysë verilindorët duke i parakaluar në renditje.
NDESHJA – Sfida nisi e qetë dhe të dy ekipet u munduan të ushtronin presion në mesin e fushës dhe mbulimin e hapësirave për kundërshtarin. Me kalimin e minutave, nisin edhe rastet e para në portat respektive, me lojtarët që tentojnë më shumë me anë të krosimeve nga krahët dhe të përfitojnë nga gabimet në mbrojtje, por pa shkuar dot te goli. Ndeshja ka ritëm dhe nuk mungojnë as duelet e ashpra, me gjyqtarin që nis të nxjerrë kartonët për skuadrën fierake. Gjithsesi, kur mendohej se fraksioni i parë i lojës po shkonte drejt një barazimi pa gola, janë miqtë ata që ndëshkojnë.
Trifoni në minutën e 45-të tregohet i saktë dhe e ndalur topin në rrjetë, duke e dërguar Apoloninë në pushim me avantazhin e një goli. Çela nis të bëjë menjëherë ndryshime në të dytën, ndërsa Mërgjyshi i beson titullarëve të pjesës së parë. Vendasit kanë iniciativën dhe janë vënë në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Apolonia mbrohet mirë dhe shfaqet rrezikshëm kur zbret përpara.
Përpjekjet e verilindorëve u konkretizuan me gol me anë të Beshirajt në minutën e 67-të. Ai shndërroi në gol një 11-metërsh dhe riktheu baraspeshën në “Kukës Arena”. Ndeshja nis e bëhet më interesante, sepse skuadrat kërkojnë vazhdimisht golin e fitores, por në fund do të jenë sërish miqtë ata që do të ndëshkojnë. Është radha e Topit në të 89-ën që do të shënojë për të tijtë, duke i dhënë kështu Apolonisë një fitore të rëndësishme në kampionat, ndërsa Kukësi provon humbjen e dytë radhazi, kësaj here në shtëpinë e tyre dhe me një trajner të ri.
KUKËSI – APOLONIA 1 – 2
GOLAT: Beshiraj 67’ (11-m)/ Trifoni 45’, Topi 89’
KUKËSI: Dervishaj, Sulçe (Selita 46’), Lamellari, Jusuf, Metani (Viktor 64’), Ouen, Kapllanaj, Nasir (N. Murati 75’), Birçaj (Danaj 46’), Hasaj (Hilaj 45’), Beshiraj. (Në dispozicion: Nova, Peposhi, Mejdani, Pica). Trajner: Emiljano Çela
APOLONIA: Bushi, Topi, Asllanaj, Jasin (Rakipaj 77’), Trifoni, Hebeja (Onueni 88’), Repaj, Francis, Musa (Kananaj 86’), Ajivi, Umeijego. (Në dispozicion: Bega, O. Repaj, Çulli). Trajner: Artan Mërgjyshi
KARTONË TË VERDHË: Ouen 63’, Hilaj 69’, Murati 81’/ Topi 21’, Mërgjyshi 28’, Trifoni 30’, Repaj 53’
GJYQTARË: E. Spahiu, Xh. Rroshi, G. Mënaj (Tiranë)
VËZHGUES: Pajtim Lapi (Shkodër)
DELEGAT: Dritan Kadia (Elbasan)
Sulmuesi
Trifoni: Jemi çliruar me fitoren në Kukës
Xhovalin Trifoni i hapi rrugën fitores së Apolonisë në Kukës. Pas ndeshjes për “Panorama Sport”, Trifoni u shpreh: ”Ishte një transfertë e vështirë, por e rëndësi kanë tri pikët. Ishim nën presion për të fituar, ndonëse luanim në transfertë. Pas kësaj fitoreje jemi më të çliruar. 1 pikë në 2 javë ishte shumë pak për ne, ndaj ishim në presion.
Me këtë fitore jemi në rrugën e duhur, pasi ky sukses merr vlerë të dyfishtë. Të shijon më shumë kur fitorja arrihet mes vështirësive, ndonëse erdhi në momentin e duhur, si pasojë e dy rezultateve të para. Së dyti, kjo fitore vjen përpara derbit me Lushnjën. Rrjedhimisht na shton vetëbesimin dhe urinë për të triumfuar sërish”.
VLADIMIR MEMA/ HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"