Apolonia, dy rikthime nga dëmtimet para startit
Miqësorja e fundit me Partizanin ka ngrohur stafin teknik të Apolonisë. Pavarësisht humbjes 2-1, loja ka kënaqur trajneri Artan Mërgjyshi. Të gjithë lojtarët që kanë pasur dëmtime dhe probleme të ndryshme fizike, tashmë i kanë lënë pas.
Në seancën e djeshme stërvitore u kthye me ngarkesë të plotë pas thuajse tre muajsh mungesë edhe Mikael Rakipaj. Mesfushori polivalent pritet të jetë një opsion edhe për të luajtur si titullar në kampionat. Një tjetër lojtar i rikthyer në seancën e djeshme ishte sulmuesi Kalice D’or, i cili vuante një dëmtim që nga fundi i muajit të shkuar dhe i mungoi Apolonisë në dy miqësoret e fundit.
Tashmë Kalice ka lënë pas gjithçka dhe rikthimi i tij e qetëson jo pak trajnerin Mërgjyshi, duke ditur se fierakët kanë pak alternativa për sulmin. I vetmi që mungon është Jasin Umar Rajab. Mesfushori kenian vuan një dëmtim që prej 17 marsit, në ndeshjen kundër Korabit në kampionat dhe kërkon edhe pak kohë që të rikuperohet. Testi i radhës i Apolonisë është nesër me Besën në Fier.
HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"