Apolonia do triumfin e radhës, trajneri Rodriges: Pa frikë me Korabin, luajmë me kokën lart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 13, 2023 | 11:34

Apolonia do triumfin e radhës, trajneri Rodriges: Pa frikë me Korabin, luajmë me kokën lart

Pas fitores në javën e parë në transfertë ndaj Lushnjës, sot në orën 16:00, fierakët do të luajnë sërish jashtë fushe, këtë herë kundër Korabit në Peshkopi.

369711167_792215159568588_2275034035414350216_n

Trajneri spanjoll i fierakëve, Jeraj Rodriges, pranon se ndeshja do të jetë shumë e vështirë, por sipas tij, Apolonia është e qartë në objektivin që ka. Për Rodriges, grupi i lojtarëve është i gatshëm për të bërë po aq mirë sa në ndeshjen me lushnjarët. Në intervistën për “Panorama Sport”, spanjolli theksoi se pavarësisht startit me triumf në derbi, ka analizuar me ekipin disa gjëra që nuk janë bërë mirë dhe që pret të korrigjohen sot në përballjen ndaj Korabit.

Jeraj, Korabi është kundërshtari i radhës. Sa e njihni këtë skuadër dhe çfarë rëndësie ka kjo ndeshje për Apoloninë?

Çdo ndeshje kampionati është e rëndësishme. Pas javës së parë kemi tri pikë dhe kjo është shumë domethënëse për ne. Përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë. E kemi vlerësuar maksimalisht Korabin, duke u stërvitur ditë pas dite dhe e përgatitur këtë takim deri në detajet më të vogla. Sot duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, patjetër me besimin e plotë dhe mentalitetin e duhur për të fituar.

Kalendari ju ka rezervuar dy transferta radhazi, më mirë apo do preferonit ndryshe?

Jemi të vetëdijshëm për të gjitha vështirësitë që mund të hasim në fushën e Korabit. Megjithatë, nuk ka justifikime për të marrë një tjetër rezultat pozitiv në transfertë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por Apolonia është e qartë në objektivin e saj. Kryesorja është të bëjmë lojën tonë, të japim maksimumin dhe të jemi ambiciozë deri në sekondën e fundit.

Si vjen Apolonia në këtë ndeshje?

Jemi shumë të përqendruar dhe mbi të gjitha jemi gati. Nuk kemi asnjë problem, gjithashtu jemi të qetë psikologjikisht, gjithçka është e kompletuar. Grupi i lojtarëve është i gatshëm për të bërë po aq mirë sa ndeshjen e javës së parë, pasi të gjithë së bashku kanë besimin e plotë për ta bërë këtë. Ambicia është e madhe, ndërkohë vijojmë të përmirësohemi me qëllimin kryesor për të përgatitur çdo ndeshje mirë e më mirë akoma.

Korabi kërkon fitoren e parë, ndërsa ju vini pas një triumfi në derbin ndaj Lushnjës. Sa ndikon ky fakt në këtë përballje?

Është ende herët t’u referohemi pikëve dhe pozicionit të renditjes. Mos harroni që kemi luajtur vetëm ndeshjen e parë dhe rruga është ende shumë e gjatë. Njëra ndeshje ndryshon nga tjetra, por rivali ynë i vetëm është vetvetja, ndaj kërkoj përqendrim maksimal në këtë 90-minutësh. E rëndësishme është të luajmë si grup, të mbrohemi dhe të sulmojmë me të gjitha forcat.

Ekipi iu përgjigj mirë në ndeshjen e parë. Çfarë i druheni në këtë ndeshje të dytë?

Frikë nuk kam aspak, as unë dhe as ekipi im. Skuadra u përgjigj mirë ndeshjen e parë, por jo gjithçka u bë siç duhet. Ne kemi analizuar ndeshjen, ato që u bënë mirë dhe nuk u bënë siç duhet, pasi kështu vijojmë të rritemi profesionalisht. Lojtarët e dinë më së miri çfarë duhet të bëjnë në këtë ndeshje të dytë, prandaj secili prej tyre do të japë më shumë se 100%. Besoj jashtëzakonisht shumë, ne jemi me kokën lart, pa presion dhe pa frikë.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"