Anglia gjen pasardhësin e Sauthgejt, por do të jetë i përkohshëm
Trajneri i Anglisë U-21, Li Karsli, pritet që të marrë drejtimin e kombëtares së Anglisë për ndeshjet e Ligës së Kombeve të muajit të ardhshëm, pasi Federata Angleze vazhdon procesin e saj për të emëruar një pasues afatgjatë të Garet Sauthgejtit.
Ky i fundit dha dorëheqjen dy ditë pasi Anglia humbi finalen e Kampionatit Evropian kundër Spanjës dhe skuadra e Anglisë që do të përballet me Republikën e Irlandës dhe Finlandën do të shpallet më 29 gusht. Me këtë afat kohor, mendohet se FA është e vendosur t’i japë trajnerit të Anglisë U-21, Karsli, rolin e trajnerin provizor, pasi ajo të ketë kryer një proces intervistash për një mori kandidatësh të mundshëm.
FA ka refuzuar të komentojë këtë lajm dhe nuk do ta bëjë këtë derisa të konfirmojë shefin e ri. Por në një deklaratë të lëshuar muajin e kaluar, shefi ekzekutiv, Mark Bullingam, tha: “Fushata jonë e Ligës së Kombeve të UEFA-s fillon në shtator dhe ne kemi një zgjidhje të përkohshme nëse është e nevojshme”. Ky ishte një tregues i qartë se Karsli ishte i përgatitur dhe i gatshëm të gradohej për të marrë drejtimin e ekipit të parë nëse do të ishte e nevojshme.
“Sky Sports News” ka mësuar se FA ende nuk ka folur zyrtarisht me shumë prej kandidatëve në listën e saj të ngushtë. Është e qartë se organi drejtues do të marrë kohën e tij për të bërë emërimin e duhur. Edi Hau, Graham Poter, Mauricio Poçetino dhe Kieran MekKena mbetet në listën e kandidatëve të mundshëm krahas Karslit dhe ndërsa trajneri i ardhshëm i Anglisë nuk është e thënë se duhet të jetë anglez, mendohet se Bullingam do të preferonte një alternativë vendase.
Karsli ka regjistruar 40 ndeshje me Republikën e Irlandës si lojtar dhe ka qenë punonjës i FA angleze për katër vitet e fundit, duke punuar me U-20 dhe U-21. Nuk është e qartë nëse Karsli e dëshiron apo jo punën afatgjatë në krye të Anglisë, por nëse ai vendoset në një rol të përkohshëm, mund të shihet si audicioni perfekt si për të ashtu edhe për FA-në.
Sauthgejt ndoqi të njëjtën rrugë drejt postit të trajnerit pasi u promovua nga U21 në 2016, dhe iu besuan katër ndeshje në detyrë të përkohshme përpara se t’i jepej një kontratë katërvjeçare si trajneri i ri i Anglisë.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"