Analizë nga Besnik Dizdari/ Rruga e duhur dhe rruga e gabuar
Nga BESNIK DIZDARI
…E përveçse gazetar i vjetër, autori i këtij shkrimi është dhe njeriu i vetëm që ka shkruar e botuar historinë e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH). Kjo po thuhet këtu, jo për mburrje, por për shpresë, për të na besuar më fort për ato që shkruajmë. Kështu ngaqë në sportin shqiptar po lulëzon mosmësimi, mospranimi, mosdëgjimi. Doemos, kjo jo vetëm ndaj mendimeve të autorit të këtushëm…
1.
Për një çast, titulli i këtij shkrimi mund të duket pak i rëndë, teksa ai nuk do të thotë se e gjithë rruga e reformimit dhe ecurisë, për shembull, e Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë, është e gabuar. Mirëpo, ja që ka raste kur edhe një episod i vetëm, edhe një ngjarje e vetme, të jep të drejtën të flasësh apo ta përcaktosh një rrugë si të gabuar. Rasti në fjalë i përket asaj çka ndodhi në Asamblenë e 27-të të Përgjithshme Zgjedhore të KOKSH-it të 29 tetorit 2022. Ishte një Asamble e rëndësishme, sepse për herë të parë në historinë e KOKSH-it u themelua, siç mund të themi, ai që do të quhet KAS– akronim i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv. Ku dhe u zgjodhën tre anëtarët themelues të tij, siç u quajtën. Një ngjarje me rëndësi, me shpresë se falë saj do të nisë të veprojë një drejtësi e re në sportin shqiptar.
KOKSH në këtë Asamble të tij zgjodhi edhe katër anëtarë të Komitetit të tij Ekzekutiv, në të vërtetë për katër vende të mbetura bosh. Bukur deri këtu! E megjithatë, pikërisht në këtë “bukuri” lind dhe problemi. Katërshja e zgjedhur mund të themi se përjetoi një zgjedhje apo fitore triumfale. Prej 58 votuesve ata fituan radhazi secili përkatësisht nga 49, 44, 41 dhe 39 vota. Natyrisht, përderisa nuk ka pasur kundërshtime, ta do mendja se këto janë vota krejt të rregullta të një votimi demokratik e të fshehtë, siç pranohet. Papritmas, mû këtu lind edhe “mrekullia”. Nuk fituan në këtë katërshe dy presidentë të dy federatave, që ashtu si Federata Shqiptare e Atletikës (president Gjergj Ruli), kanë sukseset më të mëdha ndërkombëtare, në ndërkohë, të tashme. Nuk fituan pra, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, dhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni.
Gjoza mori vetëm 14 vota, ndërsa Prizreni mori vetëm 12 vota! Janë shifra që nënkuptojnë një humbje të thellë të tyre, siç thuhet në sport. Është një injorim spektakolar prej zgjedhësve të kësaj Asambleje të KOKSH-it – votuesit e së cilës mesa duket, paskan një kulturë të sporteve që na thotë se presidentët e dy Federatave Sportive Shqiptare, ndër më të suksesshmet, ato të peshëngritjes dhe të mundjes, nuk i dashkan të jenë në kryesinë apo Komitetin Ekzekutiv të KOKSH-it!… Ky konkluzion del vetvetiu nga moszgjedhja e tyre dhe votat e pakta që ata fituan.
Me një fjalë, për dijet, për synimet e përfaqësimeve të peshëngritjes dhe mundjes shqiptare, nuk do të vendosë prania e presidentëve të tyre në drejtimin e këtij KOKSH-i, por mosprania e tyre. Çka do të thotë se do të vendosin edhe këta katër të sapozgjedhur, shumica e të cilëve, qofsha i gabuar, kam përshtypjen se nuk njihen në mjedisin olimpik shqiptar. Sigurisht, nëse vërtet kemi sendërtuar një mjedis olimpik.
Më tej, kjo do të thotë se ata nuk përbëjnë personalitete të shquara të sportit në Shqipëri. Them kështu ngaqë vetëkuptohet se në drejtimet sportive shqiptare u takon të bëjnë pjesë personalitetet më të shquara të sportit kombëtar. Ajo që të shqetëson mbi gjithçka, është injorimi që u bëhet jo thjesht dy presidentëve, por dy federatave të dy sporteve medalistë ndërkombëtarë të Shqipërisë.
Në mënyrë të veçantë sportit të peshëngritjes, i cili për dekada është simbol i sportit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Pa shkuar te qindëshet e medaljeve ndërkombëtare (po po, ato tashmë numërohen me tri shifra). Kujtojmë vetëm më të fundit: Erkand Qerimaj – kampion i Europës apo Briken Calja – kampion i botës 2021. Pa harruar kampionin e botës në mundje, ndonëse joshqiptar, por përfaqësues i Shqipërisë, Zelimkhan Abakarov.
E, meqë kemi memorie të shkurtër, po kujtoj se në historinë e Shqipërisë, anëtari i parë i një Komitetit Ekzekutiv të një Federate Botërore Sportive, ka qenë pikërisht presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi (2009-2013). E tash presidenti i sotëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes nuk u dashka të jetë as anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar?…
Përgjigjja e kësaj pyetjeje nuk ka nevojë as për nënkuptim retorik, as për diskutim të zgjatur, as për ndonjë debatim “filozofik”, siç nuk e bën as ky shkrim. Kjo pyetje nuk ka nevojë për përgjigje, qoftë kjo dhe lakonike. Kjo pyetje bart vetëm një pohim që na thotë se sporti shqiptar sot, vazhdon të shkelë jo rrallë në rrugë të gabuara.
2.
Nuk jam në dijeni se si është proceduar për të pranuar kandidaturat e këtyre lloj zgjedhjeve. Dhe nuk kam të drejtë të kritikoj këtu asgjë. Vetëm se duke u nisur nga profesioni im, që po e quaj qoftë të gazetarisë, qoftë të publicistikës a historisë sportive, mendoj se para zgjedhjeve duheshin botuar sa rregullorja e së drejtës së kandidimit të secilit, por mbi të gjitha, biografia olimpike, po deshe quaje sportive, e këtyre pretendentëve.
Kuptohet që kësisoj duhej vepruar edhe në raste kur janë zgjedhjet e përgjithshme të KOKSHit apo të të gjitha federatave sportive. Nuk bëhet. Çka tregon për forma të dyerve të mbyllura, të një lloj “qetësie” zyrash të brendshme, ndonëse është fjala për fusha të jetës shqiptare tejet publike e të hapura, siç janë vetë sporti dhe organizatat e tij. Lexuesit duhet të dinë ndërkaq, se nuk kam asnjë lloj miqësie me të dy presidentët humbës të rëndë të këtyre zgjedhjeve.
E merret me mend se nuk kam asnjë lloj ambicie për t’u zgjedhur në kryesi apo komitete ekzekutive të sporteve. Ndonëse një kohë, përmbi 8 vjet, kam qenë kryetar, president, siç thuhet sot jo shqip, i Federatës Shqiptare të Çiklizmit me jo pak suksese. Por dhe anëtar themelues madje, i Këshillit Kombëtar të Sporteve, për të cilin nuk e di nëse sot ekziston apo jo. Kur dihet se kjo shpikje britanike funksionon në shumicën e shteteve të botës.
Ndërsa kujtoj se ky këshill kur u themelua, me idetë perëndimore të drejtimit të sporteve dhe funksionimin e tij, nuk lejonte të gabohej në gjithë organizimet e sportit shqiptar që po hynte në një rrugë të re. Kontributi i Këshillit Kombëtar të Sporteve, asokohe i drejtuar nga një figurë e shquar, madje e profesoratit universitar të sporteve e kulturës fizike, siç është prof. Vesel Rizvanolli, ka qenë i pazakontë.
Në mënyrë të veçantë, për të ndryshuar kryekëput politikat sportive shqiptare me rënien e regjimit. E tash, për gjithë këtë problematikë duhet të heshtet? Ashtu siç heshtet për kushedi sa e sa problematika, organizime, harresa, pse jo, për çoroditje deri për traditat themeluese të sportit shqiptar, të vetë jetës shqiptare, të sotme në veçanti? Atdhetaria na thotë se kurrsesi nuk duhet heshtur. Ndonëse po shihet qartë se është fort vështirë që të mos heshtet. Kur dihet se heshtja në Shqipërinë e sotme çuditërisht është bërë një lloj force e pandalshme në të gjitha sferat e jetës së këtij vendi. Me një fjalë, ti gabon dhe duhet heshtur.
Bën një gjë aspak për së mbari dhe prapë duhet heshtur. Bie fjala, ngatërron vlerat e historisë së sportit kombëtar, e prapë u dashka heshtur, se u mërzitkan. Bën zgjedhje duke injoruar dy drejtues të sporteve, ndër më të suksesshmit në Shqipëri, dhe prapë nuk duhet të bëzajë askush, se mos na mërzitet dikush.
E ke shuar Këshillin Kombëtar të Sporteve, e edhe në këtë rast askush të mos bëzajë. Se mos na mërziten injoruesit, ata që dinë pak, indiferentët, qoftë dhe zyrtarë të caktuar. Kjo është ajo, heshtja që e ka çuar Shqipërinë në personalizime të panumërta të drejtimit në shumë fusha të jetës. Kur dihet se kjo heshtje të çon në thellimin e gabimeve apo tek ecuria në rrugë të gabuar. E, në të vërtetë ajo, assesi nuk është as ecuri.
E pra, a përbën edhe një problem qeveritar, apo qoftë edhe ministror, kjo që ngjau në Asamblenë e Përgjithshme të KOKSH-it të 29 tetorit 2022? Them se po. Kësisoj, edhe sepse sporti kombëtar madje mbrohet ligjërisht deri në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Por qeveria hesht. Ministria e saj është po aq shembullore në heshtje. Dhe rruga e gabuar e cila kënaqet me kësisoj “pyetjesh” pohuese:
A u bënë zgjedhjet? A qenë ato “të rregullta e të fshehta”? Atëherë, çka dreqin ke që po shqetësohesh, në fund të fundit për moszgjedhje në KOKSH të dy presidentëve të federatave? Qoftë edhe pse ata drejtokan dy sporte kampionësh europianë apo të lartësuar në medalje podiumesh botërore? Punë e madhe mandej nëse njëri prej tyre qenka një nga figurat më të mëdha të sportit kombëtar – mundësi Sahit Prizreni, pra, – njeriu i tretë mbas Ymer Pampurit e Ilir Sulit, i cili kur ishte sportist i drejtpërdrejtë i solli Shqipërisë medalje botërore (bronz) të Kampionatit Botëror – e para e këtij sporti për Shqipërinë, madje. Është interesante vërtet.
Në vitet e fundit qeveria apo shteti nuk i prek, madje nuk bëzan, nuk ndërhyn kur punët shkojnë jo mirë ndaj veprimtarive të federatave sportive apo të KOKSH-it. Pse jo, as ndaj klubeve sportive, as për pothuajse të asnjë problematike të tyre në të mirë të zhvillimit dhe të fuqizimit të sportit kombëtar. Ata gëzojnë lirinë e paparë që mund të kenë pasur ndonjëherë në historinë e sportit të Shqipërisë. Kësisoj, me idenë tash fort të konsumuar, të “mosndërhyrjes në punët e brendshme të tyre”!
3.
Do të jap edhe këtu shembullin që vjen nga superfuqia botërore e botës edhe në sport: SHBA. Është fjala për rastin e bujshëm që ka të bëjë me presidentin e SHBA-së, John Kennedy. Më 26 dhjetor 1960, kur sapo ishte zgjedhur president, ai botoi në revistën më të famshme sportive të SHBA-së, të mirënjohurën “Sports Illustrated”, shkrimin me titull “Amerikani i brishtë”.
Ky artikull fillonte me një “ekskursion” në origjinën e Lojërave Olimpike në Greqinë e lashtë, duke kaluar mandej menjëherë tek analiza e shenjave të para të rënies së forcës fizike të të rinjve amerikanë. Dhe duke kulmuar me propozimin e 4 vendimeve: krijimin në Shtëpinë e Bardhë të një Komiteti të shëndetit dhe përgatitjes fizike; vendimin që Departamenti i Shëndetësisë, Arsimit dhe Mirëqenies të shndërrohej në një përgjegjës të drejtpërdrejtë për aftësimin fizik të rinisë; që guvernatorët e çdo shteti të vijnë në kongresin kombëtar vjetor për edukimin fizik të të rinjve për të analizuar progresin që është bërë në vitin që sapo ka kaluar; dhe e katërta: që presidenti i SHBA-së dhe të gjitha departamentet e shëndetësisë amerikane, të kuptojnë qartë se zhvillimi i sporteve dhe përgatitja fizike përbëjnë një nga qëllimet bazë të politikës së SHBA-së.
Presidenti Kennedy e përfundonte shkrimin e tij me këto fjalë: “Jo brishtësia, por vetëm trajnimi i mirë fizik do t’i sigurojë çdo qytetari amerikan që të ruajë dhe mbrojë lirinë e tij personale dhe të vendit të tyre”. Ky është shteti, kjo është qeveria. Sigurisht shumë i madh ky shembull i një shteti të madh, qoftë dhe i shekullit të kaluar, për t’u marrë për sportin e vogël të Shqipërisë po të vogël. Çudi vërtet! Një president i SHBA-së sapo ka fituar presidencën, ende pa marrë në dorëzim Shtëpinë e Bardhë, kujtohet dhe boton një shkrim për sportet dhe edukimin fizik të shtetasve të tij. Vështirë ta kuptosh sot mbas 60 vjetëve këtë rast botëror?…
Ndonëse u tha se ideja e presidentit Kennedy lindi për shkak të humbjes së madhe të SHBA-së prej Bashkimit Sovjetik në Lojërat Olimpike të Romës, që sapo kishin përfunduar: 43 medalje ari ekipi sovjetik dhe vetëm 34 ai amerikan. Në tërësinë e medaljeve: ar, argjend, bronz së bashku, humbja amerikane ishte edhe më pësuese: 103 medalje për Bashkimin Sovjetik dhe 71 për SHBA-në. Pati kaluar në ekstazë edhe Shqipëria komuniste.
U quajt fitore e madhe e kampit të të ashtuquajturave demokraci popullore. Po a ka sot një mendim sportiv modern në Shqipëri? Për fat, kjo është tema më e paprekur sot në këtë vend të vogël, të një populli të vogël brenda kufijve tokësorë të tij. Duket se në këtë Shqipëri askush nuk guxon t’i prekë me dorë organizmat apo organizatat sportive edhe kur ata nuk janë aspak në rregull. Me përjashtim të ndonjë rasti të veçuar si ai i kohëve të fundit ndaj FSHF-së për të mos lejuar rizgjedhjen e presidentit të saj, një ndërhyrje sa brutale aq edhe e dënueshme e antidemokratike.
Për fat të mirë, pa i ia arritur qëllimit. E tash lind pyetja tjetër: si ka mundësi që të ketë një Komitet Olimpik Kombëtar të cilin nuk e njohka Federata Sportive më e fuqishme e kombit, që është Federata Shqiptare e Futbollit, siç ngjet në Shqipëri? Mjafton edhe ky rast vetmor që qeveria apo shteti të ndërhyjnë menjëherë e në mënyrë të ligjshme ta detyrojnë Komitetin Olimpik Kombëtar, por dhe FSHF-në, që të jenë pjesë e përbashkët e KOKSH-it. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë nuk kemi të bëjmë me anomali, por kemi të bëjmë me një lloj skandali krejt të papranueshëm për botën e sotme moderne të sportit. Nuk e dimë nëse ka dijeni për këtë rast shqiptar, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO).
Në Shqipëri ka vite të tëra që qeveria, pse jo, edhe shteti, nuk nxisin, nuk mbështesin rikrijimin e një platforme të re kombëtare për sportet dhe kulturën fizike. Madje të një mendimi a filozofie të re për sportin kombëtar. Shqipëria ka mbërritur deri aty, saqë ka pranuar rënien shembullore të sportit të volejbollit, deri dhe zhdukjen e dy Dinamove europiane, të trajnerëve të mëdhenj, Vangjel Koja e Kreshnik Tartari, e të volejbollistëve po të mëdhenj, Asllan Rusi e Ela Tase. Shqipëria tash paska nxjerrë në Kategorinë e Dytë të basketbollit, deri dhe skuadrën e famshme të Partizanit të trajnerit të madh Astrit Greva e basketbollistit po të madh Agim Fagut – për shumë vite një nga skuadrat më europiane të sportit shqiptar.
Shqipëria e ka shndërruar në të papërmendur sportin e qitjes, që i ka dhënë kampionet e para të Europës, legjendaret për sportin shqiptar, Elizabeta Karabolli e Ermira Dingu. Shqipëria ka zbehur deri në skaj sportet e gjimnastikës e të notit. Shqipëria vërtet ka rimëkëmbur dy a tri stadiume duke i kthyer në moderne, por me një prepotencë të habitshme ia ka zhdukur pistën historike të atletikës, stadiumit kombëtar. Sot Shqipëria është vendi më i varfër me pista atletike në të gjithë Europën. Duke e lënë “mbretëreshën” antike pa kalatë e saj të ndritshme që janë pistat e pedanat.
Shqipëria ka flakur tej prej Kampionatit Kombëtar të Futbollit qytetet më themeluese të këtij sporti, që është më tradicionali dhe më popullori në jetën e shqiptarëve. (Korçë, Vlorë, Berat, Elbasan, Kavajë, Gjirokastër, Fier, Lushnjë). Shqipëria shkon në Lojërat Mesdhetare dhe ende nuk arrin të mbërrijë Shqipërinë amatore të pjesëmarrjes së saj të parë në këto lojëra të 35 vjetëve më parë, ato të Latakias 1987. Dhe mbi të gjitha: Shqipëria është i vetmi shtet në Europë që deri më sot nuk ka asnjë medalje olimpike. Sapo ia ka kaluar edhe shteti i ri i Kosovës.
Dhe me një të rënë të lapsit na thotë se “nuk duam” në Komitetin Ekzekutiv të Komitetit të saj Olimpik, kreun e dy sporteve ndoshta sot më olimpikë të atdheut, që quhet Shqipëri, të prirë nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes me sportistë të nivelit botëror! Por jeta vazhdon, siç mund të thonë indiferentët e panumërt. Ndonëse ajo nuk mund të vazhdojë më kështu, duke mënjanuar përfaqësuesit e sporteve më të zhvilluara dhe duke parapëlqyer për në kryesitë e saj njerëz “të panjohur” në sportin kombëtar dhe olimpik. Sporti shqiptar ka nevojë për një revolucion në të gjitha fushat dhe organizimet e tij. Kësisoj, edhe në Komitetin Olimpik të tij.
4.
Dhe “udhëtova” për te Komiteti Olimpik Kombëtar Italian – “Comitato Olimpico Nazionale Italiano” – CONI i famshëm. Ai që dihet se është ndër më të organizuarit në botë. Ai, i cili me dekretligjin jo të largët, atë të 8 janarit 2004, i ka dhënë një hov të ri forcës së tij. Ai ka plot 105 komitete olimpike në 105 provincat e tij. Kur Shqipëria assesi nuk ka komitete olimpike rajonale, ndonëse nisi t’i ndërtojë ata në fillim të viteve ‘90. Ndërsa për çudi, regjimi komunist kishte në çdo rreth të ashtuquajturit “komitete të fizkulturës së rrethit”, me funksione drejtuese të drejtimit shumësportësh olimpik.
Sot vetëm KOKSH-i në Tiranë, që e paska “konstitucionalizuar” veprimtarinë e tij drejtuese me të drejtën për të mos zgjedhur në kryesinë e tij as drejtues të sporteve më europianë të kombit shqiptar. Fryt ky i “zgjedhjeve të drejta e të ndershme”!?… Qëndroj pra, te CONI i Italisë, i cili të parin në krye të punëve të tij ka atë që quhet Këshilli Kombëtar – “Consiglio Nazionale” të tij. Dhe a e dini se kë ka president të këtij këshilli? As më pak e as më shumë, por vetë presidentin e Komitetit Olimpik të Republikës së Italisë (CONI), sot njeriun me emrin Giovanni Malago.
Por më e rëndësishmja vazhdon më tej: Këshilli Kombëtar i këtij Komiteti Olimpik Italian (CONI) përbëhet vetëm prej presidentëve të 45 federatave sportive të Republikës Italiane – të gjithë me të drejtë vote. Prej këtij këshilli mandej del ajo që quhet “Giunta Nazionale” e CONI-t – si të thuash, Qeveria Kombëtare e Komitetit Olimpik, në të vërtetë organizmi që ne e quajmë Komiteti Ekzekutiv i KOKSH-it. Kjo është koka (kreu) e CONI-t me 17 anëtarë, të cilët statuti i tij i vendos ligjërisht, si drejtues ekzekutiv të Komitetit Olimpik Kombëtar.
Ndërkohë, krerët drejtues – “dirigenti”, siç i përcakton në italisht – statuti i këtij komiteti a Giunte, janë 6 anëtarë të cilët janë detyrimisht presidentë të federatave sportive, pra jo njerëz që për kushedi për çfarë interesash mund të dëshirojnë të bëhen pjesë e një Komitetit Ekzekutiv të tipit shqiptar. Sot në CIO-n italiane ata janë detyrimisht pra, presidentë të zgjedhur të 6 federatave: të çiklizmit, të kanoes, të motoçiklizmit, të hipizmit, të qitjes me hark, me në krye presidentin e Federatës Italiane të Futbollit, që është i mirënjohuri Gabriele Gravina.
Dhe mandej edhe 10 anëtarë të tjerë të këtij “Komiteti Ekzekutiv” në të cilin bëjnë pjesë dy nënpresidentët e Komitetit Olimpik Kombëtar Italian (CONI), dy sportistë, një trajner, një përfaqësues i Komiteteve Olimpike rajonale, pa harruar sekretarin e përgjithshëm të CONI-t, kështu deri në plot 17 vetë, ku forca drejtuese parësore e të cilëve është gjashtëshja e emërtuar “dirigjenti” – e gjitha e përbërë nga presidentë të federatave sportive kombëtare më në zë. Po Shqipëria, vërtet kujton se do t’i drejtojë sportet duke pasur në kryesinë e saj njerëz, të cilët atje poshtë, te themeli e skena e sporteve nuk kanë asgjë në dorë, nuk drejtojnë asgjë, nuk përgjigjen për asgjë?
Nuk është vendi këtu mandej që të mbërrijmë te dituritë që ata kanë apo s’kanë për sportin olimpik në tërësi. Do të dukej utopike, por do të ishte ideale që një prej kushteve për të kandiduar në kryesinë e KOKSH-it, të ishte përveç të tjerave, edhe vendosja e një “provimi” para një komisioni të diturive me pyetje për njohjet apo mosnjohjet olimpike që kandidatët mund të kenë. Vallë, a do ta kalonin klasën?… Sot në Shqipëri zgjedhjet sportive thërrasin, votojnë, “përzgjedhin” gjithnjë e më pak njerëz të ditur të këtyre punëve. Nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në organizimet sportive në Shqipëri që të mënjanohet si sot brezi i përvojave të mirënjohura. Është krejt e natyrshme që një brez i ri të vijë në krye të punëve, por të mënjanosh deri në këtë shkallë nga forumet, këshillat sidomos, një pjesë të një brezi që sapo mund të ketë kaluar, por që është ende i aftë të kontribuojë, kjo do të thotë se në organizimet e tashme sportive shqiptare mbizotëron ideja se “gjithçka fillon me mua”. Çka e godet jo thjesht përbashkimin e brezave të diturive kombëtare, por mbështetjen e domosdoshme te përvoja, te historia, madje qoftë dhe tek ajo më e freskëta përvojë, pa shkuar në dekada të largëta.
Ndërkaq, po të hyjmë sadopak në përbërjet e komiteteve ekzekutive të federatave sportive, bie fjala, në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, si asnjëherë tjetër ndoshta do të vëresh se janë “zgjedhur” vetëm nja dy a tre përfaqësues nga qytetet më tipike e tradicionale të futbollit shqiptar. Jo më tepër. Kjo është fort e rëndë dhe krejt e papranueshme. Kur në këtë 11-she janë zgjedhur madje edhe dy gazetarë! Kjo do të thotë se asnjë lloj gjeografie, më saktë, asnjë lloj gjeopolitike e futbollit kombëtar nuk shpaloset në kreun drejtues të FSHF-së.
Dhe… zgjedhjet – themeli i demokracisë?… Vërtet?… Mirëpo, ec e gjeje se çka e pengon Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar që prej këshillit të tij vendosës, me të drejtën e një vote sublime të dalë Komiteti Ekzekutiv i këtij KOKSH-i i përbërë në shumicë po prej presidentëve të federatave sportive. Besoj e dini se këta presidentë të zgjedhur, jo të emëruar, janë drejtuesit e sporteve në Shqipëri.
Mirëpo, mendja të thotë se ndër ne pengon klientelizmi, dëshira për pushtet sportiv të pamerituar e plot arsye të tjera, thjesht të një interesi të ngushtë, pse jo, vetjak, dhe jo në të mirë të sportit kombëtar. Për fat, sporti shqiptar është në krizë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në fushën e lojës tjetër, asaj të mënyrës “shqiptare” të zgjedhjeve dhe ndërtimit modern të strukturave sportive kombëtare.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"