Analizë e detajuar për ekipin e elitës, të gjithë në “lupë”/ Ja plani i Dinamos për merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2023 | 22:15

Analizë e detajuar për ekipin e elitës, të gjithë në “lupë”/ Ja plani i Dinamos për merkaton

Pushimet për Dinamon po shkojnë drejt fundit. Skuadra ka gati tri javë që nuk zbret në fushë dhe ka pasur kohën e mjaftueshme për të përgatitur ndeshjen përmbyllëse të kampionatit. Shkojnë në Luz, atje ku do të lajnë vetëm për fitore.

Mehmeti Dinamo

Superiorja është siguruar dhe përderisa në lojë është matematikisht titulli kampion, kryeqytetasit do t’ia bëjnë shërbimin këtij 90-minutëshi. Kuptohet, duke pritur edhe një dhuratë nga Lushnja… Por sido që të shkojë çështja e titullit, janë të motivuar për t’i bërë mbylljen e duhur një sezoni, që rezultoi pak më i vështirë nga sa ata e kishin llogaritur.

Gjatë rrugës iu desh të ndërronin trajnerin, ndërkohë që asnjëherë nuk mundën të bënin shkëputen e synuar në krye të klasifikimit. Dinamo i komplikoi vetë situatat me disa humbje në shtëpi, por tashmë gjithçka është lënë pas krahëve dhe vëmendja e momentit është te Luzi.

PLANI PËR “SKANER” Dritan Mehmeti pritet ta zhvillojë me skuadrën më të mirë ndeshjen e së enjtes, pasi edhe lojtarët e dëmtuar janë gati tashmë, me përjashtim të Erisildo Smaçit. Përveç titullit, lojtarët janë të motivuar për të dhënë më të mirën në këtë transfertë, sepse më pas klubi do të bëjë një analizë të detajuar për secilin prej atyre që janë pjesë e kësaj skuadre. “Panorama Sport” mëson se do të shihet me “lupë” ecuria gjatë gjithë kampionatit për të kuptuar rendimentin e çdo elementi që ka veshur fanellën blu, për të nxjerrë konkluzionet përkatëse.

Në fakt, për shumicën e lojtarëve situata është e qartë, klubi e di se çfarë do të bëjë: kush do të vazhdojë të jetë pjesë e projekti të Superiores dhe kush duhet të gjejë një skuadër tjetër për të vazhduar karrierën. Por ka edhe një grup të vogël lojtarësh, për të cilët ka dilema, kështu që ndeshja me Luzin shërben edhe në këtë drejtim. Klubi ka programuar vazhdimin e stërvitjes deri në ditët e fundit të muajit maj dhe gjatë kësaj periudhe do të kryhet edhe “skaneri” për grupin aktual, para se të fillojë merkatoja e verës.

KUSH KA MË SHUMË SHANSE

Klubi nuk mund të marrë asnjë vendim pa u mbyllur kampionati, por lojtarët me shanset më të mëdha të qëndrimit, ashtu siç gazeta ka bërë me dije, janë Denison, Karamba, Prodani, Mija, Daja e ndonjë tjetër. Këtu shtohet edhe Albion Marku i huazuar te Teuta.

Për sa u përket largimeve, përveç Lilajt dhe Bakajt, të cilët e mbyllin me futbollin e luajtur, më shumë shanse logjikisht kanë lojtarët që kanë qëndruar në stol së fundi, ndërsa për pjesën tjetër do të vendosë “skaneri” i përmendur më sipër. Këtu përfshihen edhe portieri Krosta dhe mesfushori Ivan, që më parë kishin më shumë mundësi qëndrimi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"