Kombëtare që bind, trajneri të mos heqë dorë nga kundërsulmi
Nga NEPTUN BAJKO
Kombëtarja më pëlqeu. Më pëlqeu shumë edhe pse Bullgaria për hir të së vërtetës nuk kishte asnjë lidhje me skuadrën që ne mbajmë mend dikur. Duhet thënë që shpeshherë ndryshimet thelbësore në formacion ndikojnë edhe në ecurinë e lojës dhe paraqitjen e lojtarëve në atë nivel që e presim ne, por edhe opinioni. Në këtë aspekt unë mendoj që Kombëtarja jonë dhe lojtarët që luajtën si titullarë u munduan që t’u qëndronin besnik detyrave, mënyrës së lojës së ekipit dhe vendosjes në fushë me një disiplinë që është e kënaqshme. Kështu pasqyruan formën dhe vlerat e mira që kanë për momentin lojtarët. Unë e shoh pozitivisht gjithë këtë paraqitje.
Një gjë tjetër që më ra në sy, pavarësisht nga kundërshtari, ishte freskia fizike e të gjithë lojtarëve. Më kënaqi fakti që u tentuan nga fillimi deri në fund që të fitoheshin të gjitha dyluftimet. Kemi stonuar më parë në këtë aspekt. Ekipi jetonte me lojën duke thyer shumë aksione. Kjo është shumë e rëndësishme. Ata parashikonin veprimet e kundërshtarit dhe ishin një kohë më parë në çdo repart: mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Kjo tregonte se lojtarët e stolit e shikojnë ndeshjen me shumë vëmendje dhe kur aktivizohen mundohen që të kryejnë detyrat njësoj si titullarët. Pra kjo vërteton se ekipi është në bllok gjatë lojës jo vetëm në fushë, por edhe në stolin e rezervave.
Pse i mëshoj këtij fakti? Sepse nga përvoja ime, mund të them se në takime të veçanta dhe të rëndësishme janë lojtarët e stolit që duhet të bëjnë ndryshimin ose ta mbajnë ndeshjen në të njëjtin nivel. Kjo është për t’u lavdëruar, por që mund t’i vështirësojë punën stafit teknik dhe trajnerit. Pse? Sepse shton jashtë mase konkurrencën… Natyrisht, kjo e përshpejton progresin në ekip, por edhe individualisht, por unë mendoj se duhet përcaktuar një herë e mirë 26-shja. Tani eksperimentet duhet të marrin fund.
KURRË KAQ SHUMË CILËSI Shqipëria në epoka të ndryshme ka pasur gjithnjë lojtarë të mirë dhe breza të mirë lojtarësh. Por si këtë herë vështirë të kujtoj se kur kemi pasur kaq shumë cilësi në të gjitha repartet. Në portë janë dy portierë ekspertë si Berisha dhe Strakosha, por edhe Kastrati që luan rregullisht në Itali. Në mbrojtje kemi: Hysaj-Balliu; Gjimshiti-Ismajli-Ajeti-MihajVeseli-Kumbulla; Mitaj; në mesfushë Asllani-RamadaniBare-Laçi-Gjasula-Bajrami, nga krahët Asani-SeferiMuçi-Uzuni-Muja dhe në qendër të sulmit Broja-Cikalleshi-Daku-Çuni. I vetmi i pazëvendësueshëm sot është Mitaj. Një lojtar unik për nga teknika, qetësia dhe zgjuarsia. Aty mund të përshtatet edhe Hysaj, por po flasim për role natyrale… E pra, kjo është Shqipëria që e bën me dhimbje koke Silvinjon dhe këdo trajner tjetër për cilësitë që ka. Ndërsa për disiplinën taktike, filozofinë dhe mendësinë, natyrisht që ka edhe trajnerin e duhur në drejtim.
KUNDËRSULMI Shumicën e golave i shënojmë nga jashtë zonës, sepse kemi lojtarë të jashtëzakonshëm si Asani, Bajrami, Asllani dhe Muçi. E kemi të vështirë që të shënojmë gola me aksion të rrjedhshëm, por nuk më vjen keq fare që trajneri i mëshon kësaj skeme: mbrojtje e disiplinuar, kundërsulme dhe goditje nga jashtë. Nuk ka pse të ndryshojë as me kundërshtarët “e vegjël”. Kam bindjen se edhe në transfertën e radhës me Bullgarinë, gjithçka do të jetë e njëjtë: mbrohu mirë dhe godit pa mëshirë me kundërsulme dhe gjuajtje nga jashtë. Madje kështu do të luhet edhe në Gjermani, në varësi të gjendjes fizike së lojtarëve natyrisht.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"