Partizani u lodh, zëvendësimet duheshin më shpejt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2023 | 10:45

Partizani u lodh, zëvendësimet duheshin më shpejt

Nga Luan Pinari

Pashë një Partizan më të mirë se BATE Borisov, por për fat të keq nuk arriti të shënonte. Mendoj se të kuqtë luajtën më mirë edhe se ndeshja e parë, por mungesa e eksperiencës, nxitimi dhe përballja me një rival dinak solli edhe humbjen e “demave”.

FOTO: F. HAZISLLARI

FOTO: F. HAZISLLARI

SULMI HUQ Është fatale që të dominosh aq shumë një kundërshtar në Champions dhe të mos shënosh asnjë gol. Natyrisht, BATE ishte një skuadër me probleme, por ama dinake. Pse? Sepse i dinte limitet e veta, e kuptoi pas ndeshjes së parë që Partizani ishte më i fortë dhe më i aftë në dyluftime dhe me nivel teknik të lartë. Për këto arsye, BATE ia la topin Partizanit duke u përpjekur ta godiste me kundërsulm dhe duke e ditur se “demat” do të shpenzonin energji. Dhe kështu ndodhi. Partizani bëri presing asfiksues, por ndryshe nga ndeshja e parë Cara dhe Da Silva nuk kombinuan si duhet me Mbanë. Loja në sulm e Partizanit ishte fokusuar te Mba, ai i bëri spondat, por nuk shquhet si lojtar goli. Aty duhej që Da Silva dhe Cara të ishin më afër tij dhe të vepronin më ftohtë kur u jepej rasti. Për fat të keq Da Silva ishte “jashtë loje” për mendimin tim, sepse humbi topa të çmuar dhe në vend që të tentonte portën në ato pak hapësira që kishte, preferoi të manovronte me topin. Kjo nuk ishte produktive

 

GABIMET E PARTIZANIT E kuptoj që pas ndeshjes mund të dalësh në konkluzione nga më të ndryshmet, por ama është fakt që Partizani i bëri vonë ndërrimet. Në të dyja ndeshjet zëvendësimet i bëri pasi pësoi golin. Në ndeshjen e dytë nuk duhej të ndodhte kështu. U pa qartë se Partizani shpenzoi energji pa fund gjatë pjesës së parë. Në pjesën e dytë duhej ndërhyrë më shpejt për t’i dhënë freski skuadrës dhe për të mos i lejuar BATE-s që të dilte në lojën e saj. Ndodhi ajo që donte BATE, sepse Partizani ra fizikisht dhe më pas golin e pësoi pikërisht sepse lojtarë si Cara dhe Rrapaj, për shkak se ishin të konsumuar fizikisht, nuk bënë atë që duhej: diagonalen me Atanaskoskin dhe të mbyllnin hapësirat. Vërtetë kundërshtari nuk ishte i frikshëm, por ama disa skema i kishte punuar. Kështu shënoi edhe në ndeshjen e parë, me një dalje të ngjashme dhe shënoi.

SINDROMA E GOLIT Prej vitesh në Shqipëri nuk ka një qendërsulmues race që të zgjidhë ndeshjet. Mirëpo, nëse në kampionatin tonë ia del edhe me gjysmësulmues, në Champions është e vështirë. Vërtetë Xhixha, Hasani, etj., janë lojtarë që kanë bërë diferencën vitet e fundit, por mungojnë qendërsulmuesit që dinë ta shndërrojnë një gjysmërasti në gol. Dhe tani kuptohet se çfarë vlere kanë ata dhe pse kushtojnë kaq shumë. Problemin e golit nuk e ka vetëm Partizani, por edhe ekipet e tjera që luajnë në Europë. Shikoni kush i pati rastet më të pastra për gol te Partizani: Murataj dhe Hadroji. Lojtarë shumë të mirë, por nuk e kanë golin armën e tyre më të fortë. Ndërkohë BATE dukej që i kishte të punuara skemat në dalje, sepse kur zbriste drejt portës ishte e rrezikshme. Kjo është diferenca.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"