ANALIZA / Kërcënimet me jetë të gjyqtarëve, pse mbërritëm në këtë pikë?
Pyetja që bëjnë sot sportdashësit është: pse mbërritëm në këtë pikë? Ka shumë arsye, mes të cilave mund të renditen: pasiguria e rritur në vend dhe mungesa e një drejtësie të pavarur dhe efikase. Por ka edhe elementë të tjerë, të cilët kurrsesi nuk mund të anashkalohen.
Mes tyre është edhe fakti që FSHF-ja ka përgjegjësi të mëdha në situatën ku ka degraduar puna dhe siguria e arbitrave. Është hipokrizi të thuash se ngjarja e djeshme ishte rasti i parë. Jo, kjo ka ndodhur edhe herë të tjera, madje me po të njëjtët protagonistë. Jo vetëm kaq, por nën presionin e drejtuesve të Kastriotit kanë qenë edhe gazetarët.
Gjatë këtyre viteve drejtuesit e klubit krutan kanë kërcënuar edhe gazetarë. Denoncimet janë bërë publikisht për skandale të tilla, ndonëse FSHF-ja nuk ka denjuar të mbajë asnjë qëndrim dhe të distancohej nga mesazhet skandaloze të dhunës që jepte një anëtar i saj.
Sot, katër vjet më vonë, FSHF-ja detyrohet të anulojë një ndeshje, sepse po i njëjti klub ka kërcënuar arbitrat sistematikisht javët e fundit. Pra është mbërritur në këtë pikë, sepse tanimë situata është jashtë kontrollit dhe kërcënimet nuk po ua bëjnë më arbitrave, por edhe zyrtarëve të FSHF-së, madje edhe drejtuesve të saj.
Është mbërritur në këtë pikë se “të fortët” që drejtojnë klubet trajtohen me dy standarde nga federata. Kur ka zgjedhje dhe duhen votat, FSHF-ja i mbyll sytë dhe i lë arbitrat në mëshirë të fatit, ndërsa kur kërcënimet kapërcejnë mbi gjyqtarët, atëherë bëhet apel për drejtësi.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"