Analiza/ Karakteri nuk sjell pikë, mesfusha e Milanit është pa teknikë dhe cilësi
Karakteri, ambicia dhe dëshira për të fituar. Dëshira për të fituar, ambicie dhe karakter.
Refreni në epokën Konseisaos është gjithmonë i njëjtë, siç janë edhe kërkesat e trajnerit portugez, shpeshherë pa përgjigje. Milani barazoi derbin me Interin dhe në mënyrë paradoksale, duke parë renditjen dhe formën aktuale, doli me keqardhjen e atyre që humbën dy pikë në kohën shtesë, por 90 minutat në fushë konfirmuan humnerën aktuale mes të dy skuadrave. Golat në pozicion jashtë loje dhe shtyllat zikaltër për momentin lënë mënjanë polemikat. Karakteri solli një barazim, sigurisht me pak fat, por a jemi të sigurt që ambicia dhe dëshira për të fituar mund të mjaftojnë që ky Milan të kthehet në rrugën e duhur?
HENDEKU NË MESFUSHË – Në derbi, siç nënvizoi vetë Konseisao në fund të ndeshjes – Milani vuajti tmerrësisht në mesfushë dhe mungesa e Fofanasë rezultoi thelbësore pavarësisht se prej disa javësh francezi ka shfaqur shenja të rëndësishme lodhjeje. Megjithatë, edhe ky aspekt nuk shpjegon ndërtimin e një reparti që aktualisht është i pamjaftueshëm për të ndjekur diktatet taktike të trajnerit të tij, si teknikisht ashtu edhe numerikisht. Duhen më shumë muskuj, një karakteristikë që në realitet vazhdon të mungojë në masë të madhe. Zëvendësimet Benaser-Himenez dhe Musah-Terraçiano janë provë e qartë e kësaj tezez. Diçka nuk është në rregull dhe asgjë nuk u bë në merkato për ta rregulluar atë.
PROBLEMET E TJERA – Konseisao tha një të vërtetë: që kur mbërriti nuk ka pasur kohë dhe mjete për të stërvitur ekipin në konceptet e tij, intensitetin dhe shpejtësinë e kërkuar në ndeshje. Milani, si skuadrat e tjera, ka luajtur gjithmonë çdo tre ditë dhe, një lajm i hidhur për portugezin, do të vazhdojë ta bëjë këtë gjatë gjithë muajit shkurt falë “vetëvrasjes sportive” në Zagreb. Boshllëqet, megjithatë, janë evidente dhe mund të fshihen vetëm pjesërisht nga karakteri, i njëjti që çoi në barazimin në derbi, fitoren në Superkupë dhe përmbysjet ndaj Komos dhe Parmës. Kufizimet janë teknike dhe në skuadër, të ndërtuara keq në verë dhe vetëm pjesërisht të rregulluara në javën e fundit të merkatos së çmendur. Sigurisht, duke përjashtuar çdo operacion sensacional të minutës së fundit si Zhoao Feliks që gjithsesi nuk do të mbushë hendekun që ndan kuqezinjtë më forcat e tjera të Serisë A.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"