Analiza/ Interi është si vjet, e thonë pikët
Skuadra e Interit, që në katër sezonet e fundit me Simone Inzagin (por mund ta zgjerojmë diskutimin edhe për 2 sezonet me Konten) është përgjigjur gjithmonë prezentë pas një humbjeje.E bëri këtë gjë edhe pas disfatës në Superkupë, që ishte delikate për faktin që humbi një trofe me përmbysje dhe pikërisht kundër Milanit. Dhe kjo ishte dëshmia më e qartë e forcës mentale të kësaj skuadre, e vetmja që u rikthye nga Riadi dhe fitoi në kampionat. Në 13 javët e fundit në kampionat ka arritur të marrë 11 fitore dhe 2 barazime, një rul që ndonjëherë kritikohet shpesh, madje edhe nga vetë tifozët e Interit.
“Ne përbëjmë lajm sa herë humbasim. Ndonjëherë kritikat janë të tepërta dhe të padrejta”, thanë Inzagi dhe Barela pas fitores me Venecian. Duke lënë të kuptohet që përgjigjen e dhanë në fushën e lojës dhe ajo ishte më shumë se e mjaftueshme për ata që i bënë “gropën” skuadrës pas humbjes në Arabi. Por kjo nuk i shpëton disa prej lojtarëve që në të shkuarën nuk kanë sjellë kualitetin e duhur, edhe pse këtë herë bënë shumë mirë si Zielinski apo Kristjan Asllani.
Sigurisht që me minutat e shumta që kanë në dispozicion janë duke kuptuar më mirë mekanizmat. Por ka një problem skuadra e Inzagit, që nuk di të mbyllë ndeshjet. Nga 11 fitoret radhazi të ardhura në kampionat, 5 kanë ardhur me rezultat minimal. Sigurisht që është diçka normale në një ecuri kaq të gjatë pozitive. Por duke analizuar statistikat, skuadra sigurisht që mund të shënonte më shumë, madje mund të kishin 2 pikë më shumë në renditje. Por kjo skuadër është aq e fortë sa di të fitojë dhe të suportojë edhe mungesat e lojtarëve të rëndësishëm si Açerbi, Çalhanoglu dhe Mkitarian dhe 2 të tjerë që morën pak minuta si Pavar dhe Turam. Për më tepër disa lojtarë nuk janë në formë optimale në këtë tur force.
Por zikaltrit morën fitoren e gjashtë radhazi pa pësuar gol dhe kanë arritur 4 ndeshje radhazi pa pësuar në Serinë A. Numra që duket se janë një mesazh për Napolin dhe Atalantën. Cilado prej tyre që kërkon titullin kampion i ka punët me Interin, që nuk ka ndërmend ta lëshojë trofeun. Dhe nëse krahasojmë pikët e vitit të kaluar me atë aktualin nuk ka ndonjë dramë. Inzagi kishte grumbulluar 45 pikë pas 18 ndeshjesh, ndërsa këtë vit ka vetëm 2 pikë më pak. Ta mendosh që fillimi i sezonit kishte shumë luhatje dhe pikëpyetje nëse skuadra kishte dëshirën e vitit të kaluar apo u ngop duke fituar kampionatin. Përgjigjja është e qartë: Interi dëshiron sërish të fitojë Serinë A.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"