Asllani duhet titullar, ja pse na përmbysi Italia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2022 | 21:01

Asllani duhet titullar, ja pse na përmbysi Italia

Nga NEPTUN BAJKO

neptun bajko

Ishte një fillim i ndeshjes i mirë, që nuk e di nëse erdhi nga entuziazmi apo dëshira e një ekipi që kërkon të shfaqë vlerat më të mira ndaj kampionëve të Europës. Goli i avantazhit ishte gjithashtu shumë i mirë dhe më se i merituar. Por kaq në pjesën e parë. Pas kësaj u panë vetëm italianët.

Ata pa dyshim janë më lart se skuadra jonë, por unë mendoj se në të tilla takime edhe pse miqësore, nuk duhet tepruar me vrullin dhe me dëshirën e ekzagjeruar dhe lojtarët të dilnin jashtë detyrave. Pas minutës së 15-të skuadra jonë e humbi natyrshmërinë dhe entuziazmin dhe u çorodit.

Pse ndodhi kjo? Sepse italianët i zgjoi goli ynë dhe rritën ritmin në maksimum. Për rrjedhojë loja me një takim e italianëve dhe lëvizjet e shumta nga ana e tyre pa top e vuri në vështirësi serioze Kombëtaren tonë. Në aspektin e lojës, 45 minutat e para, përjashto deri te shënimi i golit, ekipi ynë u fut në mëdyshje sesi do të vepronte. Kjo më pas solli edhe gabime elementare.

PJESA E DYTË

Në aspektin e filozofisë së një ndeshjeje miqësore dhe qëllimit që kanë të tilla takime, pjesa e dytë mua më pëlqeu më tepër. E them këtë, sepse pashë një skuadër që edhe pse ishte në disavantazh, po luante lirshëm, shpejt dhe me disa raste. Kjo është shumë pozitive në një ndeshje miqësore. Ekipi pati guxim të luante me aftësitë e vërteta të çdo lojtari dhe kjo krijoi situata të rrezikshme në portën e italianëve. U krijuan raste, dhe jo pak, por disa raste. Kjo duhet pasuruar në të ardhmen. Por ama në të njëjtën kohë ekipi duhet të mësohet të luajë në bllok. Ne duhet të luajmë duke i qëndruar besnik detyrave dhe me reparte që funksionojnë si të veçuara, por edhe si një skuadër në total.

Nëse e shihni me vëmendje, mbrojtja jonë shpërqendrohej edhe me një aksion të thjeshtë. Pse? Sepse Italia në sulm dilte me shumë forca dhe më pas te Shqipëria humbiste rreshtimi dhe vendosja e drejtë e mbrojtësve tanë në zonën e rreptësisë. Unë mendoj se reparti i mesit të fushës, që ishte shumë i lëvizshëm, u përqendrua në mbulimin e kundërshtarit dhe kjo i rëndoi në detyrat për të ndihmuar në veprimet e sulmuesve. Për pasojë Uzuni edhe Broja nuk u ndihmuan as për ndërtimin e një kundërsulmi dhe as me aksione të rrjedhshme.

GABIM ME ASLLANIN

Mendoj që ekipi ka nevojë të rritet akoma në të gjitha aspektet dhe kjo ndeshje na tregoi se si individë dhe si ekip Shqipëria duhet të ketë kualitete për rritur nivelin e lojës. Në këtë kuptim, Shqipëria nuk e ka luksin që një mesfushor i Interit të qëndrojë në stol. Asllani është lojtar me cilësi, që rritet vetëm duke i dhënë besim në ndeshje si këto. Për çfarë e mban në stol? Janë disa situata që i kaluam edhe me Brojën disa kohë më parë, por për mua kjo është totalisht gabim.

Dhe e fundit, nuk mundet të luash me dy sulmues të deklaruar, kur nuk ke disa variante sesi t’i ndihmosh ata. Pra duhet të jenë të punuara disa skema që t’i nxjerrësh deri te porta, pastaj nëse nuk e dërgojnë topin në rrjetë, kjo nuk është përgjegjësi e trajnerit. Më thoni pak sa herë u shërbyen si duhet Uzuni me Brojën? Nuk mundet t’i detyrojmë sulmuesit tanë që ta marrin topin gjithë ndeshjen nga mesfusha.

Nga NEPTUN BAJKO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"