Analiza e javës së dytë në Kategorinë e Parë/ Besa dhe Vora bashkëkryesojnë, vuajnë dy të rënët nga Superiorja
Java e dytë e Kategorisë së Parë ka konfirmuar startin e mirë të Besës së Kavajës dhe Vorës, dy nga skuadrat më të investuara gjatë verës dhe që objektiv kanë ngjitjen në Superiore.
Të dy këto ekipe kanë fituar dhe bashkëkryesojnë me 6 pikë dhe të përbashkët kanë edhe faktin se nuk kanë pësuar në 180 minuta e para. Vorakët e trajnerit Arian Bellai kanë mposhtur 2-0 Kukësin, me golat e dy lojtarëve të huaj, të cilët shënuan në pjesën e dytë. Besa e trajnerit Mirel Josa dominoi dhe krijoi një mori rastesh në portën dibrane, por zgjidhja erdhi vetëm nga perla e Mentor Mazrekajt. Korabi u bë “bunker” në prapavijë për 86 minuta deri kur Mazrekaj i mposhti me një eurogol, direkt nga goditja nga këndi. Ultimatumi në Vlorë ka dhënë direkt efekt tek ekipi, pasi autokritika e Flamurtarit të trajnerit Andrea Agostineli erdhi në transfertën e Shijakut, ku mposhtën Erzenin në shifrat 2-0.
Kjo javë tregoi se dy skuadrat që kanë zbritur nga Superiorja në Kategorinë e Parë, Erzeni dhe Kukësi, po vuajnë shumë në këtë fillim sezoni. Bëhet fjalë për dy ekipe që janë formatuar me vonesë dhe në përbërje kanë lojtarë të rinj, kryesisht të ardhur në ndihmë nga klube të tjera që kanë huazuar futbollistë. Madje, situata më e keqe për momentin është tek Erzeni, që në 180 minuta e para është i vetmi ekip me zero pikë, gjithashtu ende nuk kanë shënuar edhe golin e parë në kampionat. Ecuri pozitive ka edhe Lushnja e trajnerit Gugash Magani, që në prezantimin e parë në shtëpi mundi Pogradecin, ku tre pikët për verdhejeshilët erdhën nga goli i Xhabrahimit. Ndërsa liqenorët tregun limite në këtë takim, ndonëse bëhet fjalë për fillimin e kampionatit. Apolonia dhe Kastrioti kanë marrë pikët e para në këtë edicion, ku përballja mes tyre e zhvilluar në “Loni Papuçiu” dhuroi spektakël dhe 4 gola. Gjithçka u mbyll në barazimin 2-2, që u vulos që në pjesën e parë. Ky takim tregoi edhe një herë se trajnerët Mërgjyshi dhe Bubeqi kanë shumë për të bërë në javët në vazhdim, që Apolonia dhe Kastrioti të kapin “ashensorin” në ngjitje.
Zhgënjimin më të madh në këtë javë të dytë e ka prodhuar Burreli, ku pas fitores bindëse në premierë kundër Flamurtarit në Vlorë, pritej që matjanët të zbaviteshin me Valbonën. Por në “liri Ballabani” ka ndodhur e kundërta, pasi me atë që prodhoi fusha tropojanët mbase meritonin më shumë sesa barazimi pa gola. Madje, Valbona arriti të shënojë golin e në pjesën e dytë, por disi i dyshimtë ishte anulimi nga gjyqtarët e ndeshjes. Gjithsesi, një pikë e merituar për tropojanët në debutimin në Kategorinë e Parë, si dhe një thirrje mendje për matjanët e vetëkënaqur nga starti. Ndërprerja e kampionatit, për shkak të angazhimeve të kombëtareve, u jep mundësi klubeve që në këtë periudhë 10-ditore të përmirësojnë gabimet e pikasur në dy javë, si dhe harmonizohen më shumë si grupe.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"