Analiza e dështimit të “Dardanëve”/ Kosova në fund të një cikli kaotik kualifikues
Përfaqësuesja e Kosovës nëse do ta kishte marrë më me seriozitet fushatën kualifikuese për EURO 2024, edhe mund t’ia kishte arritur qëllimit madhor, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në një veprimtari të madhe ndërkombëtare, siç është Europiani i Gjermanisë.
“Koha.net” i ka kushtuar një analizë të gjatë dështimit të “Dardanëve”, anlazimim i cili vijon si më poshtë:
“Nisi me fushatën “Me Kosovën në Evropian” dhe po përfundon pa synim të realizuar, me ekip në gjendje goxha të çrregullt dhe situatë të përgjithshme thuajse kaotike.
Cikli kualifikues i përfaqësueses së Kosovës në futboll për Kampionatin Evropian të vitit 2024 do të mbahet mend për fare pak gjëra të mira. Më shumë do të kujtohet për gjëra negative, që nuk ishin të pakta dhe ishin thuajse të rregullta.
Të martën prej orës 20:45, Kosova e luan ndeshjen e fundit të këtij cikli kaotik kualifikues. Në “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pret përfaqësuesen e Bjellorusisë. Edhe një herë pritet të diskutohet për gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Gjendja e fushës shpeshherë është vlerësuar e turpshme. Një lojtar i Izraelit madje e krahasoi me stallë derrash, deklaratë që bëri bujë.
Federata e Futbollit e Kosovës ka refuzuar të marrë përsipër barrën për gjendjen e fushës, ndonëse e ka në menaxhim stadiumin në Prishtinë. Për mirëmbajtjen e fushës ka kërkuar përkrahjen e shtetit, ndonëse kishte pranuar përgjegjësinë për t’i mirëmbajtur stadiumin dhe fushën e tij.
Gjendja e fushës shpesh ishte lajm gjatë këtij cikli kualifikues. Por nuk ishte lajmi i vetëm negativ gjatë kësaj fushate.
Kualifikimet për “Euro 2024” nisën me rezultat premtues – barazimin 1:1 në Izrael, më 25 mars. Por menjëherë erdhi goditja e fuqishme. Më 28 mars në Prishtinë, Kosova mori vetëm një pikë me ‘autsajderen’ e grupit, Andorrën. U shpresua që të jetë vetëm një lëshim i rastit. Ndërkohë u dëshmua që nuk ishte i tillë. Më 16 qershor, sërish në Prishtinë, Kosova barazoi pa gola me Rumaninë. Tri pikë nga tri ndeshjet e para dhe përfaqësuesja thuajse ishte jashtë garës për kualifikim. Megjithatë ende kishte kohë për rikuperim. Pritjet ishin të mëdha për ndeshjen me Bjellorusinë, të zhvilluar në terren neutral, përkatësisht në Budapest të Hungarisë.
Më 19 qershor Kosova pësoi 2:1 nga bjellorusët, që kishin telashe të shumta dhe vazhdojnë të kenë shumë vështirësi.
Largimi i Zhiresit, ardhja e zëvendësuesit pa dijen e tij
Humbja me Bjellorusinë solli shkarkimin e francezit Alen Zhiresit nga posti i trajnerit. Zhiresi asnjëherë nuk ishte shumë popullor në ekip e po ashtu në mesin e tifozëve të Kosovës. Kishte folur për kualifikimin në Evropian në fillim të fushatës kualifikuese, por rezultatet nën drejtimin e tij nuk ishin as afër atyre që priteshin. Kishte edhe barriera gjuhësore, për shkak të komunikimit vetëm në gjuhën franceze. Reagonte pak gjatë zhvillimit të ndeshjeve dhe shkarkimi i tij ishte hap i pritur. Por jo edhe përzgjedhja e shtabit teknik pas largimit të Zhiresit.
Slloveni Primozh Gliha, që ishte i punësuar për disa vjet në FFK, mori drejtimin e përfaqësueses. Për ndihmës iu caktuan Afrim Tovërlani, Arbnor Morina, Ahmet Beselica dhe Tomas Riçards. Por Gliha u emërua nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së më 4 korrik, pa konsultim paraprak me të. Për më tepër Komiteti Ekzekutiv ia caktoi ndihmësit, që nuk është praktikë në futbollin modern. Vetëm pasi u caktua në detyrë, Gliha mbajti një takim me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi.
Gliha që në konferencën e parë për shtyp tha se synon ta ndryshojë mentalitetin në përfaqësuese. Këtë e synonte në mes të një cikli kualifikues. Deri diku arriti atë që premtoi, por telashe të tjera dolën rrugës.
Më 9 shtator, Kosova barazoi 2:2 në Prishtinë me Zvicrën, falë dy golave të Vedat Muriqit. Golin e barazimit 2:2, Muriqi e shënoi në minutën e 94-t. Ajo ndeshje ishte prej pak momenteve të ndritura në këtë cikël eliminator. Ndeshja ishte festive dhe kaloi pa asnjë incident.
Goditja tjetër erdhi më 12 shtator në Bukuresht. Kosova humbi 2:0 nga Rumania dhe për më tepër u përball me fyerje të një grupi huliganësh rumunë. Kishte thirrje “Kosova është Serbi” dhe një pano me këtë porosi. Lojtarët e Kosovës vendosën ta ndërpresin ndeshjen që vazhdoi vetëm pas rreth 50 minutash. Kishte një episod jo të këndshëm tjetër në atë ndeshje, kur Gliha e kapi për krahu Edon Zhegrovën.
Pas ndeshjes, Zhegrova tha se te Kosova duhet të “rregullohen disa gjëra të brendshme”. E mohoi më pas deklaratën duke shkruar se “e ka pasur fjalën vetëm për qasjen në lojë dhe formën se si luajmë e jo me ndryshime të tjera”.
Deklarata e Zhegrovës në fakt konfirmonte atë që dihej, që gjendja te Kosova është larg prej asaj që duhej.
Komplikimet që solli shtyrja e ndeshjes me Izraelin
Grumbullimi i radhës ishte në tetor dhe erdhi fitorja bindëse, 3:0, në Andorrë. Ndërkohë ndeshja e 15 tetorit me Izraelin u shty për shkak të gjendjes në Lindjen e Mesme. Ky vendim solli komplikime shumë të mëdha për Kosovën.
FIFA vendosi që ndeshja të luhej më 12 nëntor në Prishtinë. Në të njëjtën fundjavë, në ligat evropiane kishte xhiro të rregullt. Lojtarë të rëndësishëm, si Amir Rrahmani e Edon Zhegrova, nuk ishin në listën e Kosovës për ndeshjen me Izraelin dhe dy ndeshjet tjera të këtij muaji, me Zvicrën dhe Bjellorusinë. Të dy luajtën ndeshje me skuadrat e tyre në ditën kur në fushë doli edhe përfaqësuesja dhe fitoi 1:0 ndaj Izraelit. Ende nuk është qartësuar plotësisht nëse Rrahmani e Zhegrova nuk janë lejuar nga klubet e tyre, me vendim zyrtar, që të mos grumbullohen me përfaqësuese. Apo nëse kishte ndonjë kompromis që ata të mos grumbullohen.
Zhegrova akuzoi rëndë. Shkroi se i është thënë se nëse nuk do të grumbullohet për ndeshjen me Izraelin, nuk do të mund të grumbullohet as për dy ndeshjet e tjera.
Vendimi i FIFA-s obligonte klubet që të lirojnë nga një lojtar dy ditë para ndeshjes Kosovë – Izrael.
Zhegrova shkoi edhe më larg, duke bërë akuza të tjera të rënda.
“Ditët e fundit erdha në pikëpyetje, të luaj apo të mos luaj nga njerëz brenda Kombëtares, ata që vendosin për fatin e Kosovës në forma individuale dhe asnjëherë zyrtare. Shumë herë isha pengesë e disa personave në Kombëtare dhe thashethemet ishin drejtuar kundrejt meje shpesh. Por nuk kam folur asnjëherë vetëm që të mos e prishi harmoninë e Kombëtares, sepse Kombëtarja është mbi të gjitha, mbi intrigat e thashethemet e njerëzve amatorë kundrejt meje”, ka shkruar Zhegrova më 15 nëntor.
Nga FFK-ja nuk kishte përgjigje zyrtare në shkrimin e Zhegrovës. Ndërkohë trajneri Gliha ishte konfuz. Fillimisht tha se nuk ishte vendimi i tij për të mos e ftuar Zhegrovën, ndërsa më pas deklaroi se Zhegrova ka gënjyer dhe se ai nuk dëshiron të luajë për Kosovën. Deklaratën se Zhegrova ka gënjyer e dha pas ndeshjes me Zvicrën, që përfundoi 1:1.
Të shtunën mbrëma në Bazel, Kosova u paraqit me mungesa të shumta ndaj Zvicrës. Pos Zhegrovës e Rrahmanit, që munguan për arsye që vazhdojnë të mbesin të turbullta, kanë munguar edhe Vedat Muriqi, Milot Rashica, Aro Muriçi, Ermal Krasniqi. Të gjithë këta munguan për arsye shëndetësore, përkatësisht për shkak të lëndimeve dhe sëmurjes.
Barazimi u vlerësua rezultat pozitiv, ndonëse Kosova përfundimisht mbeti pa gjasa për kualifikim.
Me Glihan, rezultatet e Kosovës janë dukshëm më të mira se me Zhiresin. Por deklaratat e tij janë shumë konfuze dhe i kanë sjellë shumë kundërshtarë. Për më tepër, Gliha nuk flet për mediat në Kosovë, pos para ndeshjeve në konferenca për shtyp dhe pas ndeshjeve për transmetuesit. Ndërkohë jep rregullisht intervista për mediat në Kroaci.
Largimi i lojtarëve
Largim i lojtarëve ishte tjetër gjë negative në këtë cikël kualifikues. Arbnor Muja la Kosovën për të kaluar te Shqipëria, me të cilën tashmë ka siguruar kualifikimin në Evropian. Mirlind Daku, që nuk llogaritej te Kosova, po ashtu iu bashkua Shqipërisë. Uran Bislimi la po ashtu Kosovën për t’iu bashkuar Zvicrës. Ndërkohë Shkëlqim Vladi u ftua dy herë, por nuk iu përgjigj ftesës pozitivisht, me arsyetimin se është i lënduar.
Listat e Zhiresit dhe ato të Glihas gjithnjë janë përcjellë me bujë. Shpesh ka pasur akuza se nuk janë ftuar më të mirët dhe lojtarët që janë më në formë.
Heshtja e përgjegjësve në përfaqësuese vetëm sa e ka rënduar gjendjen. Federata e Futbollit nuk kthen përgjigje për një pjesë të mediave, ndërsa nuk flasin as përgjegjësit në përfaqësuese, drejtori Muharrem Sahiti dhe menaxheri Bajram Shala. Së fundi në menaxhment, si zëvendësdrejtor i përfaqësueses u shtua Samir Ujkani, që i dha fund karrierës si portier.
Mungesa e transparencës është mënyrë se si funksionon Federata e drejtuar nga Agim Ademi. As ai nuk flet për shumicën e mediave. Ndërkohë është më së shumti prezent në faqen zyrtare të FFK-së. Shpesh FFK-ja ka bllokuar komentet për të pamundësuar fyerjet në adresë të Ademit, që janë gjithnjë e më të shpeshta.
Shkrimet për të në faqen zyrtare të FFK-së vazhdojnë të jenë të rregullta e të shpeshta. Para ndeshjes me Zvicrën në Bazel, ai ishte paraqitur edhe në zhveshtoren e përfaqësueses së Kosovës.
“Nëse nga kjo ndeshje shkojmë në Evropian, nuk dua të flas premi. Por po ju them, fitojeni lojën dhe vendoseni çmimin vetë, sa i doni premi”, ka thënë Ademi para lojtarëve, ndërkohë që FFK-ja ditë më parë tha se e ka të pamundur të kujdeset vetë për fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Ka edhe telashe të tjera të mëdha në përfaqësuese dhe kjo bën që e ardhmja të jetë goxha sfiduese. Vlerësohet se duhen ndryshime të mëdha që Kosova të kthehet në rrugën e duhur. Ndryshime që me mënyrën aktuale të funksionimit vështirë që do të bëhen.
Fushata me “Kosovën në Evropian” më nuk përmendet. Ishte një ëndërr e bukur që u pamundësua kryesisht nga ata që do të duhej ta realizonin”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"