Analiza/ Bajerni me hap kampioni, Xhamal vendos ndeshjet e vuajtura
Bajern Mynih arriti një fitore të rëndësishme në fushën e vështirë të St.Pauli.Pas këtij trepikëshi diferenca më ndjekësit më të afër (Lajpcig) ka shkuar në 5 pikë, duke krijuar hendek me rivalët, ndërsa Leverkusen nuk vështrohet në “horizont”, 9 pikë mbrapa. Më poshtë po ju prezantojmë me analizën e “FCBayern Inside” rreth triumfit minimal të bavarezëve në javën e 10 të Bundesligës.
DOMINIMI, POR VETËM NJË GOL – Me pothuajse 80 për qind posedim të topit dhe goditjet 13:3 në portë, Bajern dominoi qartë (statistikisht) duelin kundër St. Pauli. Megjithatë, në fund pati “vetëm një fitore 1-0 ndaj ekipit të sapo ngjitur në ligën kryesore. Vlera xG prej 0.83 konfirmon përshtypjen se rekordmenët kishin një ditë të përzier në sulm. Edhe pse bavarezët ishin imponues në posedimin e topit, ata e patën të vështirë të kapërcenin mbrojtjen kompakte të vendasve. Pavarësisht fuqisë së përqendruar sulmuese rreth golashënuesit më të mirë Herri Kejn, në fund iu desh një goditje gjeniale nga Xhamal Musiala për të siguruar fitoren dhe tri pikët. Pas javëve rraskapitëse të fundit, futbollistët e gjigandëve nga Mynihu nuk do ta vlerësojnë shumë performancën në Hamburg. Joshua Kimish e bëri të qartë se fillimisht duhet të fitosh ndeshje të tilla: “Nuk duhet të jetë gjithmonë spektakolare. Ishte një përballje e vështirë për ne, por mbetëm të duruar dhe nuk i lejuam thuajse asgjë rivalit”.
SUPERMACIA NË BUNDESLIGË – Një vështrim në tabelën aktuale të Bundesligës dhe rezultatet e tjera në këtë javë, tregon sesa e rëndësishme është fitorja. Ndërsa ndjekësit e tyre nga Lajpcig bëri gabime, Bajerni ishte në gjendje të zgjeronte më tej epërsinë e tyre në krye të tabelës. Vinsent Kompani dhe ekipi i tij kryesojnë ligën me pesë pikë ndaj “Demave”. Kampionët në fuqi të Bajer Leverkusen janë tashmë nëntë pikë prapa. “Aspirinat” humbën dy pikë në barazimin 1-1 ndaj Bohum, teksa bavarezët fituan qartë 0-5 pothuajse dy javë më parë kundër të njëjtit skuadër. Me 33 gola, Bajerni ka ofensivën më të mirë në Bundesligë. Shtatë golat e pësuar janë gjithashtu të tolerueshëm. Vetëm Lajpcig (5 gola të pësuar) ka më pak gola. Rekordmenët po dominojnë sërish Bundesligën.
MUSIALA, PËRCAKTUES – Xhamal Musiala ishte padyshim “Lojtari i ndeshjes”. Goli i tij i “ëndrrave” në minutën e 22-të ishte jo vetëm vendimtar në lojë, por ishte një dëshmi e mëtejshme e cilësisë së tij të jashtëzakonshme. 21-vjeçari shënoi finalizimin përcaktues edhe të fitores 1-0 kundër Benfikas së Lisbonës gjatë mesjavës. Talenti gjerman është dhe mbetet ndryshimi i lojës për Bajernin. Musiala ka shënuar gjashtë gola në pesë ndeshjet e fundit konkurruese. Në sezonin aktual të Bundesligës ai ka konkretizuar tre herë golin e hapjes për të tijtë. Ai ishte gjithashtu i përfshirë në të paktën një gol në të gjitha ndeshjet si mysafir këtë sezon.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"