Alegri drejt Premier Ligës, zbulohen kontaktet me klubin që i ka ofruar pankinën
Masimiliano Alegri mund të kthehet shpejt në drejtimin e një skuadre. Trajneri i larguar nga Juventusi në fund të sezonit të kaluar, duket se po bëhet gati të bëjë debutimin në Premier Ligë, edhe pse nuk do të dëshironte që ta bënte një gjë të tillë në mes të sezonit.
Alegri është prej disa ditësh në Londër, ku po zhvillon një kurs të përshpejtuar për anglishten, që ta perfeksionojë si gjuhë të folur. Kjo ka shtuar edhe më shumë zërat rreth zbarkimit të tij në Premier Ligë, teksa mediat britanike kanë zbuluar se cili është klubi i parë që ka kontaktuar trajnerin italian.
Klubi i Uest Hem, aktualisht po mendon shkarkimin e Julen Lopeteguit, pasi ekipi nuk po shfaqet në nivelet e kërkuara dhe gjendet pranë zonës së rrezikshme të klasifikimit. Ndaj është kontaktuar Alegri dhe i është ofruar atij vendi i punës, duke bërë të qartë se për ta do të ishte zgjidhja ideale.
Trajneri raportohet se nuk ka dëshirë që të nisë një projekt në mes të një sezoni, pasi do kohë që të punojë me skuadrën për idetë që ka rreth lojës. Por negociatat vazhdojnë dhe nuk është çudi që shumë shpejt tekniku të vendosë të pranojë ofertën e parë jashtë Italisë, ndërsa më parë ka refuzuar të tilla nga Arabia Saudite.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"