Al Itihadi i Benzemasë braktis ndeshjen e Championsit për shkak të një statuje
Ndeshja e Ligës së Kampionëve për Azinë (AFC), mes sauditëve të Al-Itihadit dhe iranianëve të Sepahanit është anuluar për shkak të pranisë të një statuje pranë fushës së lojës.
Skuadra Saudite “Pro League” ku luajnë Benzema dhe Kante udhëtoi për t’u përballur me skuadrën iraniane Sepahan të martën në mbrëmje. Por, sipas “NewsFoot”, ndeshja tani është braktisur për shkak se anëtarët e ekipit të Al-Itihad nuk janë të gatshëm të luajnë.
Një statujë e ish-oficerit ushtarak Qasem Soleimani mund të shihet pranë fushës. Ai u konsiderua si njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran para vdekjes së tij në 2020, i cili erdhi si rezultat i një sulmi nga një dron amerikan. Lojtarët dhe zyrtarët sauditë refuzuan të hynin në stadium. Pasi u kërkoi një kohë prej 90 minutash për të vlerësuar situatën, ekipi u kthye në aeroport për t’u kthyer në Arabinë Saudite.
Në një deklaratë nga AFC thuhet: “Ndeshja e AFC Champions League 2023/24 në Grupin C ndërmjet Sepahan FC dhe Al Itihad FC, e cila ishte planifikuar të zhvillohej në stadiumin Naghsh-e-Jahan në Isfahan sonte, është anuluar për shkaqe dhe rrethana të paparashikuara”. Federata aziatike përsërit angazhimin e saj për të garantuar sigurinë e lojtarëve, zyrtarëve të ndeshjes, shikuesve dhe të gjithë aktorëve të përfshirë. “Kjo çështje tani do t’i referohet komisioneve përkatëse”. Al-Ittihad krenohet me një mori yjesh të afruar në merkaton e verës duke përfshirë Karim Benzema, Fabinho dhe N’Golo Kante. Al-Itihad është i dyti në Ligën Pro Saudite, një pikë pas Al-Hilal të Neymar.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"