Akuzat në shtangë, Gjoza: Leka sabotues i përjashtuar tri herë, i merr të keqen Federatës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2024 | 13:39

Akuzat në shtangë, Gjoza: Leka sabotues i përjashtuar tri herë, i merr të keqen Federatës

Vijojnë përplasjet e ndërsjellta në komunitetin e peshëngritjes në këtë start të 2024-ës, pas përjashtimit në asamblenë e 29 dhjetorit të drejtorit të klubit shumësportësh Teuta, Kreshnik Lekës. Ky i fundit shpërtheu në akuza ndaj presidentit të federatës Elez Gjoza.

Kreshnik Leka dhe Elez Gjoza, gjatë Lojërave Mesdhetare Oran 2022

Kreshnik Leka dhe Elez Gjoza, gjatë Lojërave Mesdhetare Oran 2022

Ndërkohë pas deklaratës së Lekës, ka ardhur edhe reagimi i presidenti të FSHP-së. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gjoza thekson se Leka ka jo një, por tri përjashtime:

“E para, Kreshnik Leka është përjashtuar nga Komisioni i Disiplinës me 100% të votave për prishje të imazhit të federatës, siç po vazhdon ende të bëjë ky person. E dyta, gjithashtu është i përjashtuar nga kryesia e federatës në unanimitet të plotë me 100% të votave dhe e treta është përjashtuar edhe nga asambleja e përgjithshme e FSHP-së me 100% të votave. Mendoj që kjo është një çështje e mbyllur dhe nuk kemi çfarë t’i shtojmë më. Pra, është i përjashtuar tri herë dhe nuk më intereson aspak, jo të jetë shef klubi, por kush të dojë”, deklaron fillimisht presidenti i FSHP-së.

“200 MIJË EURO NË XHEP” – Ndërkohë, i pyetur nga gazeta për akuzën e rëndë që Leka bëri ndaj tij, duke u shprehur se Gjoza fut në xhep 200 mijë euro për aktivitete ndërkombëtare që zhvillohen në Shqipëri, presidenti i shtangës kuqezi deklaron: “Mendoj që nuk ja vlen të zgjatemi dhe të komentojmë një deklaratë të tillë. Këto janë shpifje që nuk kanë ku të qëndrojnë. Ajo që mund të them është që Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka marrë kompliemente nga ndërkombëtarët për të gjitha aktivitetet që kemi zhvilluar dhe për këtë fakt jam shumë i lumtur. FSHP-ja ka marrë 3 medalje të arta për organizimet nga Federata Europiane dhe ajo Botërore. Gjithashtu, kemi edhe dy organizime të rëndësishme ndërkombëtare për vitin 2024, siç janë Europiani për Master dhe Kampionati Islamik. Pra, jo më kot ndërkombëtarët vijojnë të në besojnë evente madhore, pasi u ka pëlqyer gjithçka nga organizimi ynë, duke nisur që nga ushqimi, te hoteli, koncertet, akomodimi, mbarëvajtja e garave dhe çdo gjë”, shprehet Gjoza.

KONTESTIMI I ASAMBLESË – Drejtori i klubit shumësortësh Teuta, e ka konsideruar të jashtëligjshme asamblenë e FSHP-së të mbajtur më 29 dhjetor në Shtërmen. Por lidhur me këtë pretendim, Gjoza sqaron se gjithçka është bërë brenda kuadrit ligjor dhe statutit, për të shtuar më pas edhe më shumë dozën e akuzave në drejtim të Kreshnik Lekës: “Ishte e pranishme 70% e asamblesë, në një kohë kur mjaftonte vetëm 50+1%. Të gjitha shoqatat që ishin në asamble ishin me vendim gjykate. Klubet që nuk kanë vendim gjykate, do të thotë se nuk do të votojnë dot vitin tjetër sipas ligjit të sportit. Por e përsëris se ky njeri është i dëmshëm për sportin shqiptar, pasi federatës tonë nuk ka çfarë t’i bëjë ai apo ndonjë shok si puna e tij.

gjoza peshengritje

Ai person është krejtësisht i painformuar dhe i paligjshëm. Të gjithë duhet ta dinë që nuk ka shef klubi që të marrë pjesë në asambletë e federatave, pasi kjo nuk lejohet dhe ka konflikt interesi. Ky njeri ka kërcënuar edhe trajnerin e Durrësit edhe të Sukthit, duke u thënë se u heq nga puna nëse shkoni në asamble. Ky person le të kërkojë çfarë të dojë, le të shkojë në gjykatë dhe ku të dëshirojë, por firmat e asamblesë dhe të kryesisë nuk i tjetërson dot njeri. Më transparencë se kaq nuk ka”, deklaron kreu i shtangës.

RIVAL NË ZGJEDHJE – Drejtuesi i Teutës e ka konsideruar gjithashtu këtë situatë sipas tij si një hakmarrje e Gjozës, duke e parë atë si një kundërshtarë të mundshëm në zgjedhjet për presidencën e FSHP-së që do të mbahen vitin e ardhshëm. Ndërkohë, lidhur me këtë pretendim të Lekës Elez Gjoza shprehet kështu: “Kur të dëshirojë le të futet në garë, le të krijojë një shoqatë të veten, të shpalosë kandidaturën dhe le të bëjë çfarë të dojë. Për mua ai është njeriu më ordiner që mund të kemi si kandidat kundërshtarë. Ky njeri ka dashur të sabotojë Kampionatin Botëror dhe më është dashur të bisedoj me kryeministrin dhe presidentin e KOKSH, për ta zgjidhur problemin. Kemi të bëjmë me një njeri që me veprime të tilla kërkon që t’i vendosë gjoba federatës, por FSHP-së ai i merr të keqen”, deklaron numri një i peshëngritjes shqiptare, i cili më tej thekson edhe një herë rezultatet e larta të shtangës kuqezi në vitin që lamë pas:

“Federata Shqiptare e Peshëngritjes është në majat më të larta, teksa nga 40 medalje të vitit 2023, plot 21 kanë ardhur nga peshëngritja. 55% e shpërblimeve të ministrisë për rezultatet ndërkombëtare në vitin që lamë pas kanë shkuar për peshëngritjen, ndërsa të gjithë sportet e tjera së bashku kanë marrë 45%. Ky është tregues i qartë dhe nuk mund të merrem unë me një ordiner, që abuzon me lekët e sportistëve. Gjë të cilën ja kemi thënë edhe në asamble dhe është ngritur edhe vetë trajneri duke i thënë se ka marrë lekët e sportistit. Por kjo është një çështje që i takon Bashkisë së Durrësit, ndërsa federata ka objektiva dhe punë për të bërë”, përfundon Gjoza.

ARTIN LLESHAJ  – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: Polemikat te shtanga, i përjashtuari Leka akuzon: Gjoza “rruan” 200 mijë euro për garë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"