Agostineli: S’më tremb ultimatumi, e dua Flamurtarin në elitë! Çela: Kukësit i duhet punë për të ngritur nivelin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2024 | 9:30

Agostineli: S’më tremb ultimatumi, e dua Flamurtarin në elitë! Çela: Kukësit i duhet punë për të ngritur nivelin

flamurtari-kukesiAndrea Agostineli nuk do hapa fals me Kukësin, ku pas humbjes në Vorë s’lejohen më zhgënjime. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Agostineli tha se nuk ka aspak presion dhe sipas tij, Flamurtari është i fortë dhe se humbja me Vorën nuk e ka ulur ritmin.

AGOSTINELI

Agostineli, ndaj Kukësit luani vetëm për tri pikët?

Patjetër që në këtë ndeshje do të hyjmë për fitore, nuk diskutohet asnjë rezultat tjetër. Jemi Flamurtari dhe gjithmonë luajmë për tri pikët. Aq më tepër, kjo ndeshje luhet në shtëpi dhe e kemi për detyrë që ta fitojmë. Nuk duhet të mendojmë asnjë rezultat tjetër.

Pas humbjes në Vlorë, si është situata në skuadër?

Pas ndeshjes në Vorë, situata në skuadër është pozitive. Kemi treguar se jemi të fortë dhe në formë. Kemi punuar shumë gjatë javës. Djemtë janë të gjithë të angazhuar dhe në formë të mirë.

E keni bërë një analizë të humbjes me Vorën?

Nuk dua të heq asnjë fjalë nga ajo çfarë kam deklaruar pas ndeshjes. Nuk e meritonim humbjen, por futbolli është edhe çështje fati dhe do ta pranosh verdiktin. Ekipi ka karakter dhe kjo më pëlqen, i përgëzoj djemtë. Skuadra po prodhon lojë dhe gola, por unë nuk kënaqem kurrë, ndaj duhet të bëjmë më shumë. Me Vorën ishte ndeshja më e mirë dhe më e bukur që skuadra ka luajtur deri më tani. Një takim shumë i luftuar.

Jeni në presion të rezultatit me Kukësin, sidomos pas humbjes në Vorë?

Unë nuk kam asnjë lloj presioni, por edhe ekipi nuk është nën trysni. Kam ardhur këtu për të dhënë maksimumin tim dhe për të arritur objektivin, që është Superiorja. Nuk kam ardhur që të bëj karrierë në Vlorë, pasi unë karrierën e kam dhe ju e dini mirë. Dua që të ndihmoj sa më shumë këtë skuadër.

Klubi ka vendosur si kusht 9 pikë në 3 ndeshje. Ju tremb kjo?

Jo nuk më tremb aspak. Nuk ka pse. Ne të gjithë bëjmë punën tonë për të mirën e kësaj skuadre.

cela kukesi

Kukësi do të jetë mysafir në Vlorë ditën e nesërme në një ndeshje që në kampin verilindor e kanë vlerësuar maksimalisht. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri Emiljano Çela kërkon që lojtarët të luajnë futboll në këtë ndeshje, pa asnjë presion apo trysni mbi supe dhe në fund, pasi të kenë dhënë maksimum t’ia lënë fushës verdiktin.

“Ekipi vjen me moral të lartë pas fitores në Fier. Java ka shkuar mirë, djemtë kanë qenë të përqendruar, ku kanë punuar mirë dhe me entuziazëm. Lojtarët të luajnë futboll. Në klub atmosfera është e mirë dhe askush nuk krijon tension apo trysni ndaj lojtarëve. I gjithë qëllimi është që këta djem të punojnë dhe të zhvillohen gradualisht. Mjafton të japin maksimumin dhe pastaj rezultatin t’ia lëmë fushës”, u shpreh fillimisht tekniku i Kukësit. Në lidhje me mungesat për arsye kartonësh në këtë ndeshje, Çela e sheh në një këndvështrim ndryshe dhe jo si problem. Për të, është një mundësi për dikë tjetër të tregojë vlerat që ka. “Çdo mungesë unë e shoh si një mundësi të mirë për dikë tjetër. Kam besim te të gjithë lojtarët që stërvis dhe janë pjesë e jona. Jam i sigurt se kushdo që do të luajë, do të japë maksimumin e kapacitetit që disponon”, vijoi më tej tekniku i Kukësit. Sa i përket faktit që Kukësi shfaqet më mirë në transfertë, Çela pohon se ashtu ka qenë kalendari dhe pikët me rivalët direkt i kanë marrë edhe në shtëpinë e tyre. “Jo, jo. Thjesht ashtu ka qëlluar kalendari. Brenda, përveç Kastriotit që për mua ishte ndeshja më e mirë që kemi zhvilluar deri më tani. Pavarësisht humbjes, pikët tona me kundërshtarët direkt i kemi marrë, ashtu siç i kemi marrë edhe në transfertë me kundërshtarë direkt. Kështu që, na duhet shumë punë për t’u ngritur në nivel, por edhe lojtarë cilësorë për t’u përballur me ekipet pretendente”, mbylli prononcimin e tij për gazetën, Emiljano Çela.

ERMAL SIKA/VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"