Agostineli: Flamurtari reagoi, me Vorën na duhet një ndeshje e madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2024 | 13:05

Agostineli: Flamurtari reagoi, me Vorën na duhet një ndeshje e madhe

Fitorja me Erzenin në Shijak ka kthyer qetësinë në Vlorë. Trajneri i Flamurtarit, Andrea Agostineli, gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, duke iu rikthyer takimit të parë me Burrelin thekson se humbja erdhi për shkak të gabimeve individuale.

Agostineli

Ndërsa me Erzenin,  pa një skuadër të etur për fitore. Agostineli shprehet i sinqertë kur thotë se do të shqetësohej nëse ekipi nuk do të reagonte. “Në ndeshjen e parë me Burrelin humbëm për shkak të gabimeve individuale. Ndërsa me Erzenin pashë një ekip më të vendosur në fushë për ta fituar atë takim, që për ne ishte shumë e i rëndësishëm. Do të isha i shqetësuar nëse ekipi nuk do të kishte reaguar, por reagoi mjaft mirë duke na qetësuar dhe bindur se skuadra dhe lojtarët i kanë të gjitha mundësitë për të bërë sa më mirë. Flamurtari arriti jo vetëm që ta fitonte ndeshjen, por edhe të paraqitej mirë në lojë. Kjo më kënaqi dhe më gëzoi më shumë”, u shpreh fillimisht Agostineli.

PUSHIMI DHE RIKUPERIMET- Trajneri Agostineli mendon se pushimi i kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve do të ndikojë pozitivisht në ekip. Italiani shpreson në rikuperimin e plotë të futbollistëve që kanë shfaqur probleme. Kreu i pankinës thotë se disa lojtarë, mes tyre edhe qendërmbrojtësi Huan Bolanos, nuk janë në kondicionin e duhur fizik për shkak se i janë bashkuar me vonesë skuadrës. “Mendoj se pushimi i kampionatit do të na bëj mjaft mirë, pasi kemi mundësinë që t’i provojmë të gjithë futbollistët që kemi në dispozicion, si dhe do të na ndihmojë në rikuperimin e lojtarëve me probleme. Jemi ende në fazën e punës në këtë drejtim. Kemi mbrojtësin Bolanos, i cili duhet të stërvitet mjaft fortë. Ai dhe disa të tjerë kanë mbërritur në gjysmën e rrugës së përgatitjeve të Flamurtarit. Në këto kushte, ata nuk mund të jenë ende në maksimumin e tyre. Kam bindjen se brenda një kohe të shkurtër do ti kem gati të gjithë futbollistët”, deklaroi italiani i pankinës vlonjate.

NDESHJA ME VORËN- Flamurtari ka kohën e nevojshme për të përgatitur ndeshjen me Vorën që do ta pres të enjten që vjen (si sot një javë) në Vlorë. Trajneri Agostineli e shikon një rival të fortë dhe të drejtpërdrejtë dhe parashikon një ndeshje të bukur. “Vora është një ekip i fortë, ashtu si edhe ne. Edhe ata do të luftojnë që të arrijnë objektivat e tyre në kampionat dhe për ta fituar atë. Unë kam bindjen se do të jetë një ndeshje e bukur. E luajmë në shtëpinë tonë dhe përballë tifozëve, të cilët për ne janë shumë të rëndësishëm. Duhet të bëjmë një ndeshje të madhe, pasi e humbëm të parën. Mendoj se ekipi që drejtoj e ka potencialin për të fituar kampionatin dhe për tu ngjitur në Superligë. Unë jam i sigurt për skuadrën time”, përfundon Agostineli.

Sot, ora 17:00

Miqësore me Luftëtarin

Flamurtari po vijon me ritme punën për Vorën. Koha në dispozicion për të nxjerrë një ndeshje të mirë dhe për të marrë një rezultat pozitiv është e mjaftueshme. Një javë para këtij dueli, vlonjatët zhvillojnë sot një test miqësor. Flamurtari pret Luftëtarin, që militon në të  Dytën. Ndeshja luhet sot, orën 18:00 në stadiumin “Flamurtari”. Tifozët vlonjatë do të shijojnë një ndeshje me drita, ndërsa trajnerët Agostineli dhe Shabani do të shikojnë gjendjen e ekipeve.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"